Gjatë qëndrimit në Tiranë në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pati takim bilateral me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.
Kurti e falënderoi Kancelarin Scholz për rolin dhe mbështetjen e Gjermanisë ndaj Republikës së Kosovës.
“Marrëdhëniet tona bilaterale janë të lidhura me vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë e barazisë, tha ai.
Kryeministri e falënderoi Kancelarin për ri-energjizimin e Procesit të Berlinit të cilin Kosova e mbështet fuqishëm.
“U bisedua për situatën e sigurisë pas sulmit terrorist ndaj Kosovës më 24 shtator, ku Kryeministri Kurti theksoi se Kosova ka qenë nën kërcënimin e drejtpërdrejtë nga një sulm paraushtarak e terrorist i sponsorizuar nga Serbia”, bëhet me dije në njoftimin zyrtar të qeverisë së Kosovës.
Kurti theksoi se ecja përpara duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë, për të cilin ka dëshmi e fakte të mjaftueshme të përfshirjes së tyre.