Presidenti i Francës, Emmanuel Macron deklaroi sot se Bashkimi Europian duhet t’i mbajë vendet e rajonit të ankoruara pas Europës, duke investuar kur këto vende janë rrugës së anëtarësimit.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Tiranë me Kryeministrin Edi Rama, Presidenti francez u shpreh se procesi i integrimit nuk mund të jetë një proces burokratik ku hapim kapituj dhe flasim për nene.
“Po, është plotësisht e vërtetë. Në vitin 2018 unë isha ai që pengoi procesin sepse po vinim rrotull dhe ecja rrotull nuk na çon askund. Po ndodhte një proces. Mbledhja u bë në një indiferencë të sigurt dhe krejtësisht hipokrite. Ishte si një kalim në revistë burokratike e procesit të zgjerimit dhe thuhej se do të zgjaste shumë, jeni në X kapitull dhe horizonti është shumë larg. Disa vendeve të tjera u thuhej: ‘herës tjetër, keni për ta parë, vazhdoni, jeni super’. Pra nuk thoshim asnjë gjë. Në atë moment unë thashë: ky proces nuk funksionon. Së pari duhet të jetë më politik, gjë që reformoi procesin. Nuk kemi nxjerrë të gjitha pasojat, po fillojnë të nxirren pasojat me atë që po ndodh me këtë planin e ri për rajonin”, theksoi ai.
Sipas Macron “askush nuk është i lumtur që hap një kapitull negociatash, sepse nuk ndryshon asnjë gjë për jetën e shqiptarëve”.
“Duhet të themi se hapet një fazë transformimesh për vendin tonë dhe në këtë moment duhet të ketë një angazhim dhe investim të europianëve. Kjo më parë nuk ndodhte. Pra, u ripolitizua procesi, u bë një reformë e vërtetë dhe duhet të nxjerrim të gjitha pasojat që kjo të jetë e prekshme”, theksoi ai.
Macron solli në vëmendje faktin se para dy vitesh propozoi krijimin e Komunitetit Politik Europian për të thënë se duhet të mblidhemi mes të ngjashmësh dhe duhet të ketë një mekanizëm respekti.
“Doja t’i jepej fund një mekanike që ishte e ftohtë, hipokrite, joefikase, sepse po e shihja që po shkaktonte mëri te vendet tuaja fqinje. Si në rastin e Serbisë, për të cilën kam shumë respekt, por ka hyrë prej vitesh në këtë proces dhe po ecën shumë ngadalë. Pra, procesi i anëtarësimit në këto vende po bën prapa”, tha ai.
Ndaj Presidenti Macron theksoi se së pari ka kërkuar të politizohet procesi dhe së dyti të shoqërohen këto reforma me një investim të plotë.
“Po ashtu nga ana tjetër ne që jemi në BE duhet të bëjmë reforma, sepse nuk është e vërtetë se mund të zgjerohemi pa fund me mënyrat aktuale të funksionimit. Kjo Europë nuk funksionon gjithmonë në mënyrë optimale. Duhet të jemi të kthjellët dhe ky është një mekanizëm shumë i mirë”, shtoi ai.
Presidenti Macron theksoi se aktualisht janë përmirësuar gjërat, por ende nuk kemi arritur në fund.
“Kemi akoma shumë për këtë epokë të re ribashkimi që po hapet dhe është një nga sfidat e mëdha të Europës për muajt e ardhshëm. Duhet ta bëjmë duke i tronditur pak zakonet, traditat. Duhet të investojmë më shumë, nuk duhet të presim që këto vende të hyjnë në Europë që të konvergojnë. Duhet t’i ankorojmë pas Europës sonë duke investuar në këto vende kur janë rrugës”, theksoi ai.
Macron u shpreh po ashtu se “duhet të mirëmbajmë këtë lidhje me Europën”. “Në vendin tuaj kjo lidhje ka nivele të jashtëzakonshme që nuk e kanë shumë vende në BE, por kjo gjë duhet të mirëmbahet”.
I pyetur nëse ka një datë konkrete në procesin e integrimit të Shqipërisë, Presidenti Macron theksoi se “nuk ka shumë kuptim të flasim për datë”.
“Po j’ua them shumë sinqerisht, sepse nëse ju ndodh një aksident demokratik në vendin tuaj, nëse keni drejtues që vijnë dhe thonë nuk bëjmë asnjë reformë, është vendosur një datë por nuk duam ta bëjmë, kjo pra shkon bashkë me angazhimin e vendit. Ju keni një kryeministër që është i angazhuar për axhendën europiane. Për sa kohë ky është dakord, për sa kohë bën reforma po. Po pastaj? Bazohet te merita. Ditën kur një vend të ecë më shpejt a mund të ngadalësohet nga krizat rajonale? Ndoshta. Pra kjo data e prerë është kundër kësaj fryme. Ajo që mund ta provokojë procesin mund të jetë një provokues gjeopolitik i jashtëm se një datë që mund ta vendosim si afat”, theksoi ai.
Por, Macron apeloi që të mos nënvlerësohet rëndësia e rrugës drejt anëtarësimit.
“Është thelbësore sepse e bëni për veten tuaj. Ka dy gjëra në funksionimin e Europës sonë që janë shumë të rëndësishme për t’u rrokur. Në momentin kur uleni rreth tavolinës, dhe kjo ndodh tashmë në Komunitetin Politik Europian, ka vetëm të barabartë. BE nuk ka hegjemoni, secili respektohet si i barabartë.