Presidenti Emmanuel Macron deklaroi sot se Franca ndjek me shumë vigjilencë tensionet që ekzistojnë mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Franca dhe Gjermania kanë bërë një propozim udhërrëfyes dhe mendoj që është i fortë dhe i mirë. Presim të respektohet nga dy palët. Mendoj se është përgjegjësia e Vuçiçit të dënojë prerazi aktet e 24 shtatorit, sepse kontribuon në rikthimin e qetësisë në kufi. Më pas etapat e ardhshme”, u shpreh Macron gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, me Kryeministrin Edi Rama, në Tiranë.
Presidenti Macron po ashtu kërkoi riorganizimin e zgjedhjeve në komunat në veri.
“Ajo çka presim nga autoritetet e Kosovës dhe Serbisë është e thjeshtë, riorganizimin e zgjedhjeve në komunat ku zgjedhjet u bënë në kushte të papërshtatshme, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje dhe në institucione, dhe njohjen e asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare. Sipas kësaj radhe, plotësisht dhe totalisht. Pres që Vuçiç të jetë përgjegjës, pres të njëjtën gjë nga presidentja dhe kryeministri kosovar. E them me shumë qartësi: ne ju kemi besuar për çështjen e vizave, çështja është pezulluar nga ana e Francës, sepse ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres të angazhohen dy palët që të ecim përpara në javët e ardhshme. Është kushti i paqes në të gjithë zonën”, tha Macron.