Presidenti i Francës Emmanuel Macron, nga Tirana, në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, u shpreh se Franca mbështet Izraelin, teksa garantoi se do të bëjë gjithçka për të liruar pengjet e marra nga Hamasi.
Macron, duke iu përgjigjur interesit të medieve, u shpreh se duhet ketë ndarje të qartë mes grupit terrorist të Hamasit dhe qeverisë së Palestinës dhe popullsisë civile të Palestinës, për të cilën Franca dhe BE kanë ofruar mbështetje humanitare.
“Dua t’i them familjes së Jashemit, se ka të gjithë mbështetjen tonë, dashurinë tonë, dua tua them këtë të gjitha familjeve që kanë fëmijë apo të afërm që janë marrë peng. Ministri është takuar me familjet kur shkoi tek ata të dielën. Franca është mobilizuar për të bërë gjithçka për lirimin e tyre”, tha Macron.
“Kemi kontakte me shumë fuqi mike, me të cilat po ndërmjetësohet edhe me Hamasin, për të arritur çlirimin e pengjeve francezë dhe pengjeve të tjera. Franca ka dënuar shumë fort gjithnjë këto praktika. Por, marrja e civilëve peng, apo ushtarakëve, marrja peng nga të gjitha kombësitë, është e neveritshme dhe jo e pranueshme. Duam lirimin e tyre, por s’mund të them më shumë se kaq, s’mund të krijoj pritshmëri të cilat mund të sjellin zhgënjim, apo të flas për negociata të cilat janë në vijim. Dua t’i them familjes së Jashemit dhe të gjitha familjeve që do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të liruar atë dhe pengjet e tjera”, tha Macron.
Ai bëri me dije se ka qenë në bisedime të vazhdueshme me Kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu. “Kam dhjetë ditë që e bëj këtë dhe me drejtuesit e tjerë të zonës. Kam shprehur mbështetjen tonë për Izraelin dhe të drejtën e tij për t’u mbrojtur”, tha Macron.
“Kam kaluar dhe mesazhe alarmi, për respektimin e të drejtës humanitare për mbrojtjen e shoqërisë civile, si dhe mospërshkallëzimin e tensioneve në Libi.
Unë do të shkoj në këtë rajon sapo të vlerësoj se kemi një axhendë të dobishme dhe konkrete për të mbërritur atje. Vullneti është që do të shkojë atje kur të kemi marrëveshje qoftë për çështje humanitare, qoftë për të ndihmuar në mos përshkallëzimin e situatës”, vijoi Macron
“Ky është një moment mjaft i vështirë për popullin e Izraelit dhe të gjithë zonës. Të gjithë kuptuam që çështja që dukej se ishte vetëm ekonomike, nuk është e tillë, pasi është edhe politike dhe duhet punuar politikisht për të arritur paqen”, tha Presidenti i Francës.
“Mbështes vullnetin e Izraelit për të luftuar kundër të gjitha grupeve terroriste. Është mbrojtje legjitime, duhet të artikulohet dhe është nderi dhe detyra e një demokracie. Çka përbën dhe të veçantën e Izraelit është që kjo të bëhet në respekt të së drejtës humanitare për mbrojtjen e civilëve. Është shumë e rëndësishme që të bëhet një dallim mes Hamasit dhe qeverisë së Palestinës dhe shoqërisë civilë”, përfundoi Macron.