1604 punonjës të Policisë së Shtetit dhe 400 punonjës të Gardës së Republikës do të angazhohen për sigurinë e Samitit të Procesit të Berlinit që mbahet të hënën e 16 tetorit në Tiranë. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga bëri të ditur sot masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Gardën e Republikës, për garantimin e rendit publik, gjatë zhvillimit të Samitit të Procesit të Berlinit. Bizhga falënderoi fillimisht, në emër edhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili ndodhet për një vizitë pune në SHBA, të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që u angazhuan dhe kontribuuan në garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes ndërkombëtare të futbollit Shqipëri – Çeki. “Angazhimi dhe profesionalizimi i punonjësve dhe i drejtuesve të çdo niveli, si dhe bashkëpunimi dhe koordinimi me FSHF-në, bënë të mundur që ky aktivitet të shënonte një tjetër standard pozitiv për menaxhimin e aktiviteteve me përmasa ndërkombëtare”, tha ai. Së dyti, Bizhga falënderoi tifozët dhe sportdashësit, të cilët pavarësisht ndonjë episodi të veçuar, në tërësi, para, gjatë dhe pas ndeshjes, manifestuan qytetari dhe ia bënë më të lehtë punën Policisë së Shtetit. Sa i përket masave të marra nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Gardën e Republikës, për garantimin e rendit publik, gjatë zhvillimit të Samitit të Procesit të Berlinit, Bizhga u shpreh se, “nisur nga rëndësia insituticionale dhe nga impakti publik që ka ky event, Policia e Shtetit është e angazhuar në maksimumin e kapaciteteve të saj njerëzore dhe logjistike, për mbarëvajtjen e tij”. Në këtë kuadër, shtoi ai, “Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, për garantimin e rendit publik, para, gjatë dhe pas Samitit të Procesit të Berlinit, që do të zhvillohet në Tiranë, më datë 16 tetor 2022”. “Në zbatim të detyrave ligjore, si dhe duke shfrytëzuar përvojën pozitive të fituar gjatë planifikimit, organizimit dhe menaxhimit të situatës së rendit dhe sigurisë publike, gjatë zhvillimit të aktiviteteve ndërkombëtare, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat, duke filluar nga pikat e kalimit kufitar, rrugëkalimet e delegacioneve, ambientin ku do të zhvillohet ky samit, si dhe për garantimin e rendit publik, në qytetin e Tiranës dhe në të gjithë territorin e vendit”, theksoi Bizhga. Ai renditi masat e planifikuara nga Policia e Shtetit, për këtë aktivitet të rëndësishëm -Garantimi i rendit publik, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit; -Organizimi i shërbimeve policore, për sigurimin e të gjithë perimetrit të sigurisë së Samitit; -Sigurimi i delegacioneve përgjatë gjithë rrugëkalimit, nga Rinasi për në Tiranë; -Eskortimi i delegacioneve nga aeroporti i Rinasit, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Rinas; -Eskortimi i delegacioneve nga PKK Morinë, Kukës, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Morinë, Kukës; -Eskortimi i delegacioneve nga PKK Hani i Hotit, Shkodër, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Hanin e Hotit, Shkodër; -Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës; -Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, etj. Paraprakisht, Bizhga theksoi se, “Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës, për hartimin e Planit të Masave dhe për vendosjen e perimetrit të sigurisë për Samitin e Procesit të Berlinit, kanë bashkëpunuar edhe me ekspertë të sigurisë të vendeve të BE-së, me qëllim zbatimin e standardeve më të larta të sigurisë, gjatë zhvillimit të aktiviteteve të këtyre përmasave”. Gjithashtu, shtoi Bizhga, “për të garantuar sigurinë e këtij aktiviteti, po bashkëpunohet me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit në vend, si dhe me organizatat ndërkombëtare INTERPOL dhe EUROPOL, për shkembimin në kohë të informacioneve”. Po kështu, vijoi ai, “po bashkëpunohet me bashkinë e Tiranës, autoritetet e aeroportit të Rinasit, autoritetet e kontrollit të Aviacionit të Tiranës, Policinë Bashkiake të Tiranës, shërbimin zjarrfikës dhe qendrat spitalore të Tiranës, për mbarëvajtjen e tij”. “Lëvizja e qytetarëve të Tiranës, më datë 16 tetor, do të afektohet drejtpërdrejt nga ky aktivitet me përmasa ndërkombëtare”, tha më tej Bizhga. Ai u shpreh se, “për garantimin e sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, është parashikuar ky perimetër sigurie: -Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”; -Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”; -Rruga “Papa Gjon Pali II”, “ETC-RTSH-Stadium”; -Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”; -Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”; -Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe në rrugën “Papa Gjon Pali II”; -Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC; -Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit; -Rruga “Ukraina e lirë””. “Në këto akse rrugore, duke filluar ora 20:00 e datës 15 tetor deri në përfundim të Samitit, më datë 16 tetor, në orën 20:00, do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, por do të lejohet vetëm lëvizja e qytetarëve që janë rezidentë në ambiente banimi brenda perimetrit të sigurisë”, theksoi Bizhga. “Të gjitha bizneset private që ndodhen brenda perimetrit të sigurisë, ditën e hënë do të jenë të mbyllura. Në rrugën “Papa Gjon Pali II”, nuk do të lejohet as lëvizja me këmbë, e qytetarëve”, u shpreh ai. Bizhga theksoi se, “kufizimet e mësipërme janë në funksion të perimetrit të sigurisë për Samitin, ndaj kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për të respektuar kërkesat dhe procedurat ligjore, të normuara nga Policia e Shtetit”. “Ndalim të qarkullimit të automjeteve, më datë 16 tetor, nga ora 08:00 deri në orën 12:00, dhe nga ora 15:30 deri në orën 20:00, do të ketë në akset rrugore: Rinas – Mbikalimi i Kasharit – autostrada “Durrës – Tiranë” – ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – rrethrrotullimi i Saukut – rrethrrotullimi pranë Akademisë së Sigurisë – Pallati i Brigadave – rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”; Bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”, deri te Rruga e Elbasanit (ky ndalim vlen për të gjitha llojet e mjeteve); Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi me bulevardin “Zhan D’Ark” deri te sheshi “Nënë Tereza”; E gjithë rruga “Papa Gjon Pali II”; Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit, deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”. Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”, tha Bizhga. Ai u shpreh se, “për të lehtësuar mbarëvajtjen e këtij aktiviteti të rëndësishëm, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve, që të reduktojnë në maksimum përdorimin dhe qarkullimin me automjete, gjatë kësaj dite, si dhe që të përdorin akse rrugore dhe drejtime të tjera lëvizjeje. Ky kontribut i qytetarëve do të vlerësohej si një ndihmë mjaft e çmuar për garantimin e masave të sigurisë gjatë këtij Samiti”. Në përfundim, Bizhga falënderoi mediat për mbështetjen dhe siguroi qytetarët për gatishmërinë e plotë të strukturave të Policisë së Shtetit, për të zbatuar me përpikëri të gjitha masat e planifikuara, me qëllim sigurimin e rendit publik, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit të Procesit të Berlinit, si dhe për një bashkëpunim efektiv me të gjithë aktorët e tjerë.
Samiti: Angazhim maksimal i policisë, kufizim kalimi në disa rrugë të Tiranës
RELATED ARTICLES