Sunday, October 20, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETARE Arabia Saudite pezullon bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin

 Arabia Saudite pezullon bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin

Arabia Saudite ka ndërprerë bisedimet për një normalizim të mundshëm të lidhjeve me Izraelin, mësoi sot DPA nga burime diplomatike saudite. ”Monarkia ka pezulluar bisedimet me SHBA për të normalizuar lidhjet me Izraelin për shkak të sulmeve ajrore të vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës”, konfirmuan burimet. Lajmi erdhi pasi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken mbërriti në Arabinë Saudite, si pjesë e një turneu rajonal mes përshkallëzimit të luftimeve midis Izraelit dhe Hamasit islamik. Muajin e kaluar, lideri de facto i Arabisë Saudite, princi i Kurorës Mohammed bin Salman, konfirmoi lëvizjet drejt normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin. ”Çdo ditë ne po afrohemi më shumë”, tha ai në një intervistë për Fox News duke i përshkruar bisedimet si serioze dhe kjo për herë të parë. Të premten, Arabia Saudite tha se kundërshton “zhvendosjen e detyruar të popullit palestinez nga Gaza” dhe dënoi atë që e quajti “shënjestrimin e vazhdueshëm të civilëve të pambrojtur atje”. Reagimi i Riadit erdhi pasi ushtria izraelite u tha banorëve të Gazës veriore të linin shtëpitë e tyre dhe të shkonin në jug duke shkaktuar frikën se një ofensivë e mundshme tokësore ishte e pashmangshme. Deri rreth dy vjet më parë, Egjipti dhe Jordania ishin të vetmet vende arabe që mbanin lidhje diplomatike me Izraelin. Me ndërmjetësimin e SHBA-së, lidhjet zyrtare u ranë dakord në shtator 2020 midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahreinit, të cilët janë anëtarë të një blloku të Gjirit të udhëhequr nga Arabia Saudite. Edhe Maroku dhe Sudani kanë njoftuar hapat që do të ndjekin.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments