Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Sylvinho, duke komentuar fitoren ndaj Çekisë, në “Air Albania” me rezultatin 3-0, që na afron edhe më afër pjesëmarrjes në finalet e “Euro 2024”, që do të luhen në Gjermani, tha se skuadra ka arritur një rezultat fantastik, ndaj një skuadre që nuk kishte humbur asnjë ndeshje në këto eliminatore.
Në konferencën për shtyp të fund sfidës, Sylvinho tha se në futboll ajo që të çon drejt suksesit është puna në grup, jo puna e një njeriut. “Ne Jemi një”, shtoi Sylvinho duke folur edhe shqip.
“Unë nuk besoj te një njeri, besoj te struktura. Jam i kënaqur. Puna nuk bëhet vetëm. Kemi bërë një hap të rëndësishëm përpara, por nuk jemi në Europian.
E thashë në mars, është një grup i vështirë. Pas disa ditësh ky grup luan ndeshje të tjera, në jemi pushim dhe në nëntor kthehemi në fushë, vetëm në nëntor do mund të bëjmë parashikime. Në këtë moment është e pamundur për t’u kuptuar. Kemi edhe ndeshjet e tjera që kundërshtarët luajnë në grupin tonë. Le të qëndrojmë me këmbë në tokë”, tha Sylvinho.
“Duhet të ecim avash avash për të kapur Gjermaninë. Ishte një ndeshje shumë e bukur. Kishim përballë një skuadër të fortë fizikisht, të vendosur mirë dhe që nuk kishte pësuar as një humbje. Kemi bërë shumë mirë në këtë ndeshje. E drejtë, që kemi bërë një hap shumë të rëndësishëm, por nuk ka mbaruar asgjë. Duhet të jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që në nëntor vendoset gjithçka dhe duhet të presim me këmbë në tokë”, vijoi braziliani.
Trajneri Sylvinho foli dhe për jetesën në Tiranë. “Gjëja e parë që bëra, ishte vendimi për të jetuar në Tiranë, që më dha mundësi të punoj shumë më mirë, falë edhe kushteve që na plotëson Federata. Monitorojmë shumë lojtarë, qoftë duke qenë në Shqipëri dhe qoftë duke udhëtuar në vendet ku ata luajnë, për të komunikuar. Ne jemi një dhe punojmë të gjithë si grup. Lojtarët e kanë kuptuar se nëse ka një mundësi për të shkuar përpara, është nëpërmjet forcës së grupit”, tha ai.
Po ashtu trajneri brazilian pati dhe një falënderim për tifozët.
“Falenderoj të gjithë që erdhën në stadium. Nuk ishin 22 mijë por ishin më shumë. Sa i takon garës ishte një skuadër e fortë fizikisht por kemi bërë një ndeshje të shkëlqyer”, nënvizoi tekniku brazilian..
Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi 3-0 kundër Çekisë në “Air Albania”, për grupin E të Euro 2024. Sfida u vendos nga goli i Jasir Asanit në minutën e 10-të dhe dopieta e Taulant Seferit në minutat 51 dhe 73. Me këtë sukses djemtë e Sylvinhos ngjiten me 13 pikë në krye të grupit E dhe janë me një këmbë në fazën finale të “Gjermani 2024”. Kuqezinjtë në muajin nëntor udhëtojnë për përballjen me Moldavinë në datën 17, teksa më 20 nëntor presim Ishujt Faroe.