Bashkimi Evropian po përpiqet të rigrupohet për çështjen e ndihmës për popullin palestinez.
Ekziston konsensus në pikat e mëposhtme: mbështetja për Autoritetin Kombëtar Palestinez duhet të vazhdojë, dhe Izraeli duhet të mbrojë veten, por të respektojë ligjin ndërkombëtar.
Të shtunën, militantët e Hamasit sulmuan kufirin e Izraelit rreth enklavës së Gazës dhe filluan sulmet ndaj objektivave civile dhe ushtarake, duke shkaktuar vdekjen e më shumë se 1 300 personave.
Izraeli është përgjigjur me sulme artilerie dhe ajrore dhe zyrtarët e Gazës kanë raportuar më shumë se 1 530 viktima palestineze pas pesë ditësh luftime të egra.
Të hënën në mbrëmje, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen duhej të kualifikonte njoftimet për ngrirjen e pagesave të ndihmës për zhvillim.
Ndryshe nga njoftimi fillestar i Komisionerit të BE-së për Fqinjësinë, Olivér Várhelyi se të gjitha pagesat do të pezulloheshin menjëherë, komisioni tha se do të rishikonte pagesat e ndihmës për palestinezët.
“Blloku kishte planifikuar të mbështeste popullin palestinez me 1,18 miliardë euro (1,24 miliardë dollarë) për periudhën 2021-2024”, thuhet në një deklaratë për shtyp të komisionit.
Përfaqësuesit e Komisionit thanë se ishte rënë dakord që të mos jepej asnjë fond deri në përfundimin e shqyrtimit të ndihmës.
“Mbështetja jonë humanitare për popullin palestinez nuk është në pikëpyetje. Megjithatë, është e rëndësishme që ne të rishikojmë me kujdes ndihmën tonë financiare për Palestinën”, tha Von der Leyen.
“Financimi i BE-së nuk ka shkuar dhe nuk do të shkojë kurrë për Hamasin apo ndonjë entitet terrorist”, theksoi ajo.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE-ja dhe Izraeli e kane cilësuar Hamasin si grup terrorist.
Të mërkurën, von der Leyen deklaroi se vrasja e civilëve izraelitë nga Hamas ishte një akt lufte gjakftohtë dhe pasqyronte një “të keqe të lashtë”.
“Ne duhet të jemi të qartë në përcaktimin e këtij lloj tmerri. Dhe mund të ketë vetëm një përgjigje për të. Evropa qëndron me Izraelin. Dhe ne mbështesim plotësisht të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten”, tha Von der Leyen.
Von der Leyen vizitoi sot Izraelin, në një shenjë solidariteti së bashku me vizitorët e tjerë të profilit të lartë, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.