Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të vetëpërmbahen nga veprimet destabilizuese dhe të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Në axhendën e takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s sot në Bruksel ishte përfshirja e aleancës në Kosovë, ku prania e trupave të NATO-s u shtua kohët e fundit pas tensioneve të rritura mes Kosovës dhe Serbisë.
Pas mbledhjes së ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, Stoltenberg tha se trupat e KFOR-it po patrullojnë më shumë në veri pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.
“Në përgjigje të tensioneve të fundit në Kosovë, NATO ka dislokuar qindra forca rezervë shtesë në operacionin tonë të KFOR-it në javët e fundit. Dhe ne jemi duke bërë më shumë patrulla në veri të Kosovës. Këta janë hapa të matur për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së në mënyrë të paanshme. Beogradi dhe Prishtina duhet të sillen me përgjegjësi, të vetëpërmbahen nga veprimet destabilizuese dhe të riangazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Kjo është e vetmja rrugë për paqe të qëndrueshme në Kosovë”, tha ai.
I pyetur se sa do të zgjasë mandati i KFOR-it në Kosovë, Stoltenberg tha se misioni ka mandat të qartë nga OKB-ja dhe se nuk ka indikacione se do të ndryshojë.
“Ne kemi një mandat shumë të qartë të OKB-së dhe natyrisht ne vazhdojmë ta ndjekim atë, dhe nuk ka asnjë tregues që mandati do të ndryshojë. NATO ka një histori, ne kemi një përgjegjësi në Ballkanin Perëndimor, dhe në Kosovë në veçanti, dhe ne e marrim këtë shumë seriozisht. Aktualisht, kemi rritur praninë tonë me disa qindra trupa në Kosovë, me batalionet e reja nga Rumania, Bullgaria dhe gjithashtu Britania e Madhe ka dislokuar më shumë forca si pjesë e pranisë së NATO-s në Kosovë”, tha Stoltenberg.
“Ne kemi rritur praninë tonë, veçanërisht në veri, dhe mesazhi kryesor është se si Prishtina ashtu edhe Beogradi duhet të vetëpërmbahen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë më tej situatën ose të rrisin tensionet dhe nga retorika nxitëse”, tha ai.
Mendoj se ky është gjithashtu një nga mesazhet e rëndësishme nga takimi i sotëm, në Kosovë shohim se si NATO dhe Bashkimi Evropian po punojnë krah për krah, prania ushtarake e NATO-s, prania e shtuar ushtarake e NATO-s mbështet përpjekjet diplomatike dhe politike të Bashkimit Evropian”, shtoi ai.