Bashkimi Evropian këmbëngul se do ta shqyrtojë mundësinë e vendosjes së masave ndaj Serbisë pasi të kenë përfunduar të gjitha hetimet rreth sulmit mbi policinë e Kosovës me 24 shtator.
Bashkimi Evropian i bëri thirrje Serbisë që të bashkëpunojë pa kushte për zbardhjen e ngjarjeve të 24 shtatorit në veri të Kosovës. Zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha se “Kosova dhe Serbia duhet të kthehen në tavolinën e bisedimeve që është e vetmja rrugë për normalizimin e marrëdhënieve”. Sipas tij, të dyja palët duhet të ndërmarrin hapa për uljen e tensioneve, duke ritheksuar se “blloku evropian pret bashkëpunim të Serbisë për ndriçimin e sulmit mbi policinë e Kosovës”.
“Nuk është se thjeshtë presim bashkëpunim të plotë, por presim bashkëpunim pa kushte nga Serbia, e kur ka vullnet ka dhe rrugëdalje. Nuk ka nevojë askush të fshihet prapa çështjeve formale si njohja apo mosnjohja e një shteti, ka mjaft mënyra se si mund të ndash të gjeturat tua, si mund të bashkëpunosh dhe të kontribuosh në hetimin e plotë”, tha zëdhënësi Stano.
Të sqarohen rrethanat
Sipas tij, “rrethanat e sulmit, duhet të sqarohen deri në fund në mënyrë që të kemi një pamje të qartë rreth asaj se çfarë ndodhi, pse ndodhi dhe kush morri pjesë e kush e organizoi”, tha zëdhënësi Stano, duke nënvizuar se “Bashkimi Evropian bazuar në të gjeturat, do të vendosë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm në qasjen ndaj Serbisë, Kosovës, ndaj dialogut dhe rajonit në tërësi”.
Autoritetet e Kosovës kërkojnë nga bashkësia ndërkombëtare që ta ndëshkojë Serbinë për sulmin e 24 shtatorit mbi policinë e Kosovës. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një takimi që pati hënën me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s me seli në Napoli, Admiralin Stuart B. Munsch, tha se “kërkesa e Kosovës është e qartë, masa konkrete kundër Serbisë, pas atij akti agresioni ndaj Kosovës”.