Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIRaporti i FMN: BSH, e angazhuar për stabilitetin e çmimeve

Raporti i FMN: BSH, e angazhuar për stabilitetin e çmimeve

Në ambientet e Bankës së Shqipërisë u prezantua sot raporti i Perspektivës Ekonomike Botërore, tetor 2023, i Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ky raport prezanton zhvillimet ekonomike globale në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, sipas analizave të ekonomistëve të FMN-së. Në fokus ishte inflacioni dhe politika monetare, kërkimet dhe vlerësimet më të fundit të FMN-së, lidhur me rolin që ka luajtur procesi i formimit të pritjeve në mjedisin aktual me inflacion të lartë dhe ndikimin e tij në politikën monetare.

Sipas raportit, ekonomia globale vazhdon të rimëkëmbet ngadalë nga goditjet e pandemisë, pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe kriza e kostos së jetesës. Në retrospektivë, qëndrueshmëria ka qenë e jashtëzakonshme. Për të ardhmen, rritja ekonomike globale parashikohet të ngadalësohet nga 3.5 % në vitin 2022, në 3.0 % në 2023 dhe 2.9 % në 2024.

Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, mbajti një fjalë përshëndetëse për të pranishmit. Lidhur me çështjet kryesore ekonomike, Ahmetaj u shpreh se me rritjen e shpejtë të çmimeve, pothuajse të gjitha bankat qendrore kryesore nisën një kurs të shpejtë normalizimi të politikës monetare për të luftuar inflacionin, në mënyrë që të shmangnin një gërryerje të fuqisë blerëse të individëve dhe paqëndrueshmërinë monetare dhe financiare. Ajo theksoi se normat e interesit në bankat qendrore me rëndësi sistemike janë ato që drejtojnë kryesisht tendencat e politikës monetare botërore.

Lidhur me vendin tonë, Ahmetaj shtoi se përgjigjja e menjëhershme e politikës monetare po tregon tashmë shenja premtuese, të paktën në drejtim të frenimit të inflacionit, duke e vënë atë në një trajektore rënëse. Megjithatë, duke qenë se inflacioni bazë mbetet i lartë, i nxitur nga tregjet e shtrënguara të punës dhe një zhvendosje në rritje në pritjet inflacioniste, detyra kryesore e politikës monetare nuk ka përfunduar ende.

Gjithashtu, Ahmetaj theksoi se besueshmëria e një banke qendrore është pasuria e saj më e madhe. Si e tillë, ajo duhet të ushqehet me kujdes, si në kohë të mira, ashtu edhe të këqija, nëpërmjet veprimeve politike koherente dhe të qëndrueshme dhe një komunikimi transparent.

“Gjatë dy dekadave të fundit, Banka e Shqipërisë ka treguar një angazhim të fortë ndaj mandatit të saj ligjor për stabilitetin e çmimeve; ajo zhvilloi një kuadër modern të politikës monetare, një instrument efektiv politikash, si dhe një strategji komunikimi të hartuar me kujdes”, u shpreh zëvendësguvernatorja Ahmetaj.

Në përfundim, ajo falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë aktivitet dhe i ftoi të kontribuojnë sa më shumë në diskutimet dhe shpërndarjen e konkluzioneve të raportit të prezantuar.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments