Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, admirali Stuart B. Munsch deklaroi se situata në veri është e tensionuar. Ai bëri thirrje për negociata dhe diplomaci për të ulur tensionet dhe për t’u arritur një kompromis. Kështu u shpreh ai pas kryesimit të ndryshimit të komandës së KFOR-it, e cila u mbajt në Prishtinë. Ai para medieve u shpreh se forcat serbe janë tërhequr nga kufiri me Kosovën me kërkesën e KFOR-it. Po ashtu, theksoi se rritja e trupave të misionit paqeruajtës në Kosovë dhe sjellja e armatimit të rëndë, është mesazh që të gjithë të heqin dorë nga sjelljet provokuese.
Pas ceremonisë së ndërrimit të komandës, admirali Munsch tha se pas takimeve me liderët në Kosovë, nesër do të vizitojë edhe Serbinë.
“Situata në veri është e tensionuar. Kemi rrethana kur një pjesë e popullsisë nuk përfaqësohet më brenda institucioneve, ndonjëherë me zgjedhjen e tyre. Por kjo krijon një mungesë që krijon zhgënjim. Dhe kështu përsëri, unë bëj thirrje për negociata dhe diplomaci për të ulur tensionet dhe për të arritur një kompromis. Sa i përket forcave serbe, po, ka pasur tërheqje, dhe në komunikim me KFOR-in, ashtu që u kuptua. Dhe kjo është pjesë e uljes së tensioneve në zonë. Shumë nga këto veprime pozitive kanë qenë me kërkesë dhe inkurajim të KFOR-it, i cili shumë herë ka dëshmuar se janë forca e domosdoshme këtu në Kosovë për ruajtjen e një mjedisi të sigurt”, deklaroi ai.
Të martën ai u shpreh se negociatat po pengohen për shkak të mungesës së besimit, për çka konsideroi se është mjedis shqetësues.
“Ky është një mjedis mjaft shqetësues në të cilin kemi arritur. Ka një element besimi që nuk është i pranishëm, i cili po pengon negociatat dhe ndërkohë, ka element që po bëhen gjithnjë e më të dhunshëm. Në maj pamë një sulm ndaj vetë forcave të KFOR-it, gjë që tregon gatishmëri. Dhe pastaj armët që u gjetën më 24 shtator, tregon aftësi shumë të avancuara, që është një kombinim i rrezikshëm. Pra, ky nuk është një mjedis i mirë, por KFOR-i është këtu për të përmirësuar aftësitë e saj, në mënyrë që të jetë në gjendje të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt duke ecur përpara. Pra, ne kemi nevojë për negociata të diplomacisë për të trajtuar këtë çështje, për të ulur tensionet dhe për të sjellë një zgjidhje të qëndrueshme këtu”, shtoi ai.
Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, bëri të ditur se grupi i fundit që do të sjell armatim më të rëndë për Kosovën është mesazh për të hequr dorë nga sjelljet provokuese.
“Numri i trupave në KFOR është rritur me dy hapa, i pari ishte me vendosjen e forcave rezervë operacionale, pak më shumë se 600 trupa me origjinë nga Turqia, të udhëhequr nga forcat shumëkombëshe të komanduara nga Greqia, që ishte pas sulmit të majit ndaj KFOR-it. Pas ngjarjes së shtatorit, këtu ka pasur një rritje tjetër, kjo është forca rezervë strategjike, e përbërë nga forca nga Mbretëria e Bashkuar dhe Rumania. Përsëri mbi 600 trupa, grupi i fundit që sjell armatim më të rëndë, për të mbrojtur më mirë trupat e KFOR-it dhe për të penguar çdo aktivitet të mëtejshëm. Ky mesazh është me të vërtetë i destinuar për të gjithë. Që të gjithë të heqin dorë nga sjellja e tyre provokuese dhe agresioni ndaj njëri-tjetrit, t’i kthehen negociatave të diplomacisë, kjo është ajo që duan njerëzit në rajon, duan një mjedis paqësor dhe të begatë”, deklaroi ai.
Ai theksoi se roli i KFOR-it është si reagues i tretë dhe se kjo mund të ndryshojë vetëm në rastet kur Policia dhe EULEX, tregohen të paafta.
“Vija kufitare administrative është për ne pjesërisht nga projektimi, për të lejuar familjet të komunikojnë përgjatë linjës dhe për ata që janë të punësuar dhe në njërën anë dhe banojnë në anën tjetër. Kështu që ka gjithmonë një sasi të mjaftueshme lëvizjesh. Sigurisht që ka lëvizje që po ndodh dhe sigurisht që është shqetësuese, por ky është një veprim i policisë. Pra, përsëri që është pjesë e PK-së si reagues i parë, EULEX-i është reaguesi i dytë, KFOR-i është i treti. Fakti që sasia e armatimit që erdhi është mjaft shqetësues, dhe siç e shpjegova, kjo ka rezultuar në dislokimin e trupave shtesë për KFOR-in dhe armatim më të rëndë për t’u mbrojtur dhe për të krijuar një mjedis të qetë dhe të sigurt në zonë. Tani, këtu ka elementë ku mosbesimi është i thellë, por KFOR-i është entiteti më i besuar në rajon. Dhe kjo është e rëndësishme që ata të mbeten të paanshëm dhe veprimet e tyre t’i çojnë përpara”, përfundoi ai.
Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, admirali Stuart B. Munsch potencoi se më 24 shtator, rezultati mund të ishte shumë më i keq, por reaguesit e kanë ndërprerë dhunën.