Qeveritë gjermane dhe franceze e siguruan Izraelin për solidaritetin e tyre të plotë gjatë ditës së parë të takimeve të përbashkëta të kabinetit franko-gjerman në Hamburg, në kuadër të konfliktit në rritje midis Izraelit dhe grupit militant Hamas.
“Ky sulm nga Hamasi ndaj Izraelit është i tmerrshëm dhe është barbar”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz.
“Shpreh edhe një herë solidaritetin tim të plotë me Izraelin”, tha presidenti francez Emmanuel Macron.
“Lufta kundër terrorizmit është një detyrë e përbashkët që ne do të vazhdojmë me Izraelin dhe aleatët tanë dhe partnerët ndërkombëtarë’, shtoi ai.
Macron dhe Scholz, së bashku me ministrat e tyre, po zhvillojnë dy ditë takime me dyer të mbyllura, për të rregulluar lidhjet mes dy fuqive kryesore të Bashkimit Evropian, pas disa mosmarrëveshjeve vitin e kaluar.
Axhenda ishte planifikuar të fokusohej në mbështetjen industriale, vetëmjaftueshmërinë teknologjike evropiane, zgjerimin e Bashkimit Evropian, inteligjencën artificiale dhe politikën e Afrikës.
Bashkëpunimi franko-gjerman ka qenë prej kohësh motori i politikëbërjes evropiane, por marrëdhënia u përkeqësua pasi Scholz u bë kancelar i Gjermanisë në vitin 2021.
Sulmet e përgjakshme nga militantët palestinezë ndaj Izraelit dhe sulmet hakmarrëse në Rripin e Gazës dhe Libanin jugor, shkaktuan më shumë se 1 300 të vdekur.
Pas një darke të përbashkët të kabinetit sot në mbrëmje, Scholz dhe Macron kanë planifikuar t’i bashkohen një takimi me presidentin e SHBA-së Joe Biden, kryeministrin britanik Rishi Sunak dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni në Hamburg.