Bjeshkët në malësitë e vendit tonë janë një pasuri e madhe për banorët që jetojnë pranë tyre të cilët i shfrytëzojnë.
Një nga ata është edhe Gjuri Selimi, banor i fshatit Gramë në Dibër, dhe që sezonin veror e kalon duke mbledhur bimë mjekësore në malin e Gramës.
Veç luleve apo bimëve të ndryshme aty gjen edhe boronicën e egër, një frut i shumëkërkuar për shkak të vetive të shumta kurative për trupin e njeriut.
Pasi ka arritur të mbledhë një sasi të konsiderueshme, Gjuri Selimi i drejtohet qytetit të Peshkopisë ku dhe e shet.
“Merrem me bimë mjekësore, ka lodhje fizike por ja vlen nëse punon. Nuk më duhet emigrimi pasi punoj këtu në vendin tim”, shprehet Selimi.
Një kilogramë boronicë e egër kushton deri në 800 lekë të rinj, ndryshe nga viti i kaluar që është shitur me 500 lekë të rinj.
Ashtu si çdo kulturë tjetër bujqësore, shirat e pranverës dhe temperaturat e pafavorshme kanë dëmtuar edhe bimësinë e egër, duke bërë që këtë vit të ketë më pak prodhim. “Këtë vit prodhimi ka qenë më i dobët për shkak të lagështirave”, shprehet ai.
Boronica është ndër frutat e egra më të kërkuara nga qytetarët. Ajo konsumohet e njomë, por edhe e thatë në formë çaji.