Sezoni i vjeshtës shoqërohet edhe me shumë prodhime bujqësore vendase në treg, për të cilat fermerët kanë punuar gjatë gjithë sezonit të verës.
Në fshatin Dvoran në Korçë, fermerë dhe agrobiznesmenë u bënë pjesë e Panairit të Vjeshtës, duke ekspozuar larminë e prodhimeve tipike të zonës, nga molla, rrushi, zahiretë e dimrit, kompostot e shumë të tjera.
Fermerët shprehen se këtë vit sezoni ka qenë i mbarë për një pjesë të mirë kulturave, teksa synojnë të zgjerojnë tregjet e shitjes.
Në Panairin e Dvoranit në Korçë spikati ekspozimi i varieteteve të ndryshme të mollës që kultivohen aty, si një nga kulturat kryesore që prodhohet bollshëm në rajonin juglindor.
Kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, publikoi në rrjetet sociale foto nga aktiviteti i organizuar, teksa tha se, “festa e Vjeshtës edhe këtë vit në fshatin Dvoran ka për qëllim promovimin e një prej produkteve tona më të njohura”.
Panairi u shoqërua nga një program i pasur artistik me lojëra për fëmijë, muzikë dhe aktivitete plot argëtim për pjesëmarrësit e shumtë.
Molla e Korçës mbetet e pakonkurrueshme në cilësi e shije, ndaj dhe fermerët prodhues të këtij fruti synojnë zgjerimin e tregjeve të shitjes.
Fermerët e rajonit të Korçës prodhojnë rreth 100 mijë tonë mollë në vit dhe mbi 40 % e këtij prodhimi ruhet në kushte frigoriferike.
Eventi bëri bashkë vizitorë e familjarë të cilët bashkërisht ndihmuan fermerët në vjeljen e mollëve. Festa vijoi deri në orët e vona të mbrëmjes nën tingujt e muzikës, kërcimit dhe degustimit të ushqimeve tradicionale të zonës.