Forcat e Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Libanin Jugor (UNIFIL) kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje maksimale në kufirin libanez me Izraelin në vazhdën e përshkallëzimit masiv të dhunës midis palestinezëve dhe shtetit hebre.
“Paqeruajtësit e UNIFIL zbuluan shpërthime pranë Al-Boustan në Libanin jugperëndimor”, tha UNIFIL në një deklaratë.
Një burim libanez i sigurisë në Libanin jugor tha se rreth 45 predha izraelite ranë në periferi të fshatit Dhayra në rajonin Tire.
Bombardimet ishin në shenjë hakmarrjeje për një tentativë infiltrimi nga tre palestinezë të dyshuar në Izrael nga Libani jugor.
“Ne nuk jemi të përfshirë në një përplasje të tillë”, tha Lëvizja pro-iraniane Hezbollah në Liban duke mohuar çdo lidhje.
Ushtria izraelite tha sot se kishte qëlluar për vdekje një numër të dyshuarish të armatosur që kishin hyrë në Izrael nga Libani fqinj.
Militantët islamikë të Hamasit kanë vrarë mbi 700 persona në Izrael pas një sulmi të paprecedentë në fundjavë, me Izraelin duke u kundërpërgjigjur me sulme ajrore që kanë vrarë mbi 500 persona në Rripin palestinez të Gazës.