Kjo javë ka nisur me mot të kthjellët, i cili sipas meteorologes, Lajda Porja do të zgjasë deri në fundjavë. Meteorologia shtoi se ditën e mërkurë pritet reshje shiu në formë rrebeshi vetëm në skajin verior të vendit. “Ka nisur territori shqiptar nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike, ku kthjellimet kanë qenë prezente, jo vetëm kryeqytet, por në të gjithë vendin. Parashikohet që deri në fundjavë moti do të jetë i kthjellët, vranësirat do të jenë në pjesën e dytë të ditës, më të dukshme në zonat malore. Dita e mërkurë do të rrezikojë rrebeshe të forta shiu vetëm në skajin verior” tha ajo. Sa i përket temperaturave, ato do të arrijnë deri në 32 gradë maksimale në zonat jugore dhe 25 në ato malore. Temperatura që sipas meteorologes janë 6-7 gradë më të larta krahasuar me vlerat që duhet të shënojë muaji tetor. Ajo theksoi dy ditët më të nxehta do të jenë, e mërkura dhe shtuna. “Sa i përket temperaturave, mëngjeset luhaten 8-9 gradë minimalet, ndërkohë maksimalet në zonat malore ngjiten deri në 25 gradë. Bregdeti dhe zonat e ulëtë, megjithëse është relativisht freskët, minimalja luhaten nga 12-13 gradë dhe maksimale deri në 32 gradë. Ditët më të nxehta do të jenë dita e mërkurë dhe dita e shtunë, ku zonat jugore presim temperatura deri në 32 gradë, që janë 6 apo 7 gradë më të larta krahasuar me vlerat që duhet të shënojë tetori” shtoi meteorologia. Në lidhje me Rajonit, si Kosova ashtu edhe Maqedonia do të ndodhen nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme. “Sa i përket vendeve të Rajonit, Kosova dhe Maqedonia ndodhen në ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme, duke bërë që moti të jetë i kthjellët, vranësirat janë prezentë, nuk priten reshje shiu. Kosova do të regjistrojë temperatura deri në 25 gradë, ndërsa Maqedonia pret temperatura deri në 27 gradë celcius” përfundoi Lajda Porja./abcnews.al