Ambasada e SHBA-së në Tiranë dhe Delegacioni i BE-së mirëpritën raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit. Përmes një deklarate për shtyp, Ambasada e SHBA-së nxit qeverinë, partitë politike dhe institucionet shtetërore të zbatojnë rekomandimet e ODIHR-it. “Ambasada e SHBA mirëpret raportin e fundit të ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit që përshkruan fushat me përmirësim të vazhdueshëm, si dhe mangësitë. Shtetet e Bashkuara nxisin qeverinë, partitë politike dhe institucionet shtetërore të zbatojnë rekomandimet e ODIHR-it, të cilat përfshijnë keqpërdorimin e burimeve shtetërore në nivel qendror dhe vendor, akuzat për blerje votash nga të gjitha palët, marrjen e masave për të siguruar fshehtësinë e votimit dhe parandalimin e frikësimit të votuesve, si dhe presionin mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së. Sipas deklaratës, raporti theksoi gjithashtu nevojën për të siguruar zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit në mënyrën e duhur, dekriminalizimin e shpifjes, si dhe mbështetjen e gazetarisë së pavarur. “Shtetet e Bashkuara mbështesin angazhimin për të trajtuar të gjitha rekomandimet e ODIHR-it, në mënyrë që të sigurohet një kuadër zgjedhor gjithëpërfshirës dhe konseguent si dhe kërkesat e popullit shqiptar për një demokraci të fortë”, citohet deklarata
Delegacioni i BE-së: Nxisim të gjithë aktorët që të punojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse për të zbatuar rekomandimet e reja të raportit Delegacioni i BE-së, në një deklaratë për shtyp thotë se mirëpret publikimin e raportit përfundimtar të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore në Shqipëri që konfirmoi se zgjedhjet ishin të mirëadministruara dhe konkurruese, por u shenjuan nga akuza për keqpërdorim e burimeve shtetërore dhe blerje votash. “Delegacioni i BE-së nxit të gjithë aktorët që të punojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse për të zbatuar rekomandimet e reja të Raportit dhe ato që janë ende pezull nga rekomandimet e mëparshme pa humbur kohë”, citohet deklarata.