Gjermania po monitoron nga afër tensionet mes Serbisë dhe Kosovës, tha sot ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius. “Ne jemi duke vëzhguar situatën dhe do të reagojmë nëse është e nevojshme”, tha Pistorius, ndërsa bëri thirrje për shmangien e përshkallëzimit të situatës. Ai nuk përjashtoi rritjen e kontributit të ushtarëve gjermanë për misionin paqeruajtës të NATO-s KFOR, siç ka bërë Britania e Madhe, por tha se nuk ka plane për ta bërë këtë për momentin. Duke folur në qytetin e Braunschweig, Pistorius theksoi se Gjermania do të ishte e gatshme të vepronte shpejt nëse do të ishte e nevojshme. Më herët, kryetarja e komisionit të mbrojtjes në parlamentin gjerman, Bundestag, ngriti idenë për dërgimin e më shumë ushtarëve gjermanë në misionin e KFOR-it. “Sipas mandatit, tavani i personelit është 400 ushtarë”, tha Marie-Agnes Strack-Zimmermann për RND. Aktualisht janë 85 ushtarë nga Gjermania që shërbejnë në misionin e KFOR-it. “Pa ndryshuar mandatin, ka ende vend për përmirësim”, theksoi ajo.
Gjermania e gatshme të veprojë shpejt nëse tensionet Kosovë-Serbi rriten
RELATED ARTICLES