Saturday, October 19, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIBreshëri dëmton kulturat bujqësore në Maliq

Breshëri dëmton kulturat bujqësore në Maliq

Zvëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arian Jaupllari, tha se “programet e qeverisë mbështesin investimet e fermerëve, për uljen e dëmtimeve në bujqësi nga ndryshimet klimaterike”. Zv/ministri Jaupllari bashkë me prefektin e Korçës, Nertil Jole, kryetarët e bashkive Maliq e Devoll, Gëzim Topçiu dhe Eduard Duro, zhvilluan në fshatin Zëmblak, Maliq, një takim me rreth 40 fermerë, pemëtoret e të cilëve u dëmtuan nga breshëri i rënë javën që shkoi. Jaupllari tha se, “sot, përballimi i ndryshimeve klimatike me ndikim në prodhimin bujqësor, mbetet një sfidë e rëndësishme”. “Dëmet e shkaktuara nga kushtet e motit në tokat bujqësore, kryesisht në pemët e mollëve në qarkun e Korçës janë në vëmendjen e strukturave të Ministrisë së Bujqësisë, duke mbajtur komunikim të vazhdueshëm me fermerët e prekur”, u shpreh Jaupllari. Ai bëri të ditur se, përmes Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor (AREB), Korçë, specialistët e MBZHR-së janë gjendur në terren, për të parë dëmet dhe për të përgatitur informacionin e plotë mbi situatën, me qëllim vlerësimin e trajtimin e mëtejshëm të situatës. Jaupllari u shpreh se, disa nga mjetet parandaluese të dëmeve janë rrjetat antibreshër, të ndërtuara tashmë në disa ferma të qarkut me financim nga programet e qeverisë shqiptare. “Ky mekanizëm i suksesshëm ka eliminuar dëmet nga kushtet klimatike dhe ne synojmë ta zgjerojmë numrin e fermave që aplikojnë këto metoda”, deklaroi zv/ministri i Bujqësisë. Përdorimi i rrjetave antibreshër i lejon fermerët që të mbajnë një furnizim të vazhdueshëm në treg, duke ulur rrezikun e humbjes së prodhimit, siguron rritjen e cilësisë, minimizimin e dëmit, uljen e shpenzimeve agroteknike, etj.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments