Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan e ka përshkruar sulmin në Ankara si “përpëlitjet e fundit të terrorizmit”, në fjalimin e tij përpara ligjvënësve sot në parlament, pas një pushimi veror. “Keqbërësit” pas bombardimeve nuk i arritën qëllimet e tyre dhe nuk do t’i arrijnë kurrë ato”, tha Erdogan. Sulmi me bombë ndodhi disa orë përpara se parlamenti i Turqisë të mblidhej sërish dhe thuhet se ndodhi në afërsi të ndërtesës së parlamentit. “Zyrtarët thanë se dy “terroristë” ishin përpjekur të hynin në ndërtesën e Ministrisë së Brendshme përpara se njëri të hidhte veten në erë përpara hyrjes, ndërsa tjetri u vra me armë zjarri në kokë”, tha ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya. Dy efektivë policie kanë mbetur të plagosur lehtë nga shkëmbimi i zjarrit që pasoi shpërthimin me bombë.