Gjatë takimit, Manjani vlerësoi angazhimin e sipërmarrjes për të siguruar trajtim të barabartë dhe përshtatjen e vendeve të punës për këtë kategori.
“Ka praktika të ndryshme ndërkombëtare që kanë rezultuar efektive për punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuar (PAK) dhe ato kanë sjellë qëndrueshmëri. Në vendin tonë, detyrimi i punësimit nga subjektet private apo publike ka lindur që me ligjin e vitit 1995 ‘Për nxitjen e punësimit’, ku përcaktohej kriteri 1 në 25 punonjës. Sot, përmes ndryshimeve ligjore, të cilat bëhen efektive në 1 janar 2024, kriteri është 1 në 25 punonjësit e parë dhe 1 PAK pas çdo 50 të punësuarve. Në total janë 9,000 persona me aftësi të kufizuara që pritet të punësohen, si në sektorin shtetëror dhe në atë privat”, tha Manjani.
Në ndihmë të këtij vendimi, si nismë që ka marrë MFE është edhe krijimi i Fondit Social të Punësimit që parashikon përfitime dhe subvencione për punëdhënësit dhe kontributi i dhënë do t’iu kthehet nëpërmjet programeve, që të kenë mundësi të plotësojnë këto kuota.
Programet synojnë punësimin, vetëpunësimin, rehabilitimin për punë, aftësimin dhe riaftësimin profesional, orientimin dhe këshillimin për punësim, shërbime mbështetëse, rikonstruksion dhe përshtatje të vendit të punës të personave me aftësi të kufizuar, programe riintegrimi social, etj.
Përfaqësuesit e shoqatës “Pro-Eksport Albania” vlerësuan masat e marra deri tani nga qeveria shqiptare, për të reduktuar efektet e luhatjeve të kursit të këmbimit, si shtyrja në kohë e pagesave të kësteve të tatimit mbi fitimin për pjesën e mbetur të vitit 2023, rimbursimi më i shpejtë i TVSH-së apo subvencionimi i pagës minimale.
Në përfundim të takimit, palët ranë dakord që të intensifikojnë bashkëpunimin, të adresojnë nevojat përmes tryezave teknike, si dhe të vihen në zbatim mekanizmat e Fondit Social të Punësimit.