Është realizuar turi i parë i hapur për vizitorët në kompleksin industrial të Trepçës dhe hapësirat tjera që trajtojnë historinë e bujshme të xehtarëve të këtij rajoni. Ky tur historik dhe kulturor u ofroi një aventurë të rrallë për të zbuluar pasurinë e vjetër industriale dhe trashëgiminë e kësaj zone të Kosovës. Me qëllimin për të promovuar trashëgiminë industriale dhe kulturore të Trepçës, turin e parë e shoqëruan historianë, inxhinierë dhe ciceronë me përvojë, të cilët çuan vizitorët në një udhëtim me informacion të ngjeshur, duke filluar me historinë e qytetit, të minierave, fabrikave dhe kompleksit industrial, për të vazhduar më pas me njohjen e objekteve të kultit dhe atyre që kanë shërbyer për nevoja të akomodimit. “Ndjehemi të kënaqur që tashmë idenë e kahmotshme e vëmë në praktikë, duke promovuar trashëgiminë tonë industriale dhe kulturore për vizitorët e parë,” deklaroi Lulzim Hoti, drejtor i “7 Arte”, organizata kulturore që ndërmori këtë nismë. Visit Trepça ka për qëllim të bëhet një destinacion i njohur për turistët vendas dhe ndërkombëtarë që janë të interesuar të eksplorojnë trashëgiminë industriale dhe kulturën e pasur të Trepçës. Turin e parë e ndoqën vizitorë të apasionuar nga Prishtina, Prizreni si dhe disa turistë ndërkombëtarë. Visit Trepça është gati të presë vizitorët e tjerë për të ndarë këtë aventurë unike. Së shpejti lançohet edhe “Purple Tour” me destinacion minierat e Artanës/Novoberdës. Ky projekt pilot është pjesë e programit vjetor të organizatës 7Arte, i cili është përkrahur nga MKRS si dhe Komuna e Mitrovicës.
Kompleksi industrial i Trepçës kthehet në destinacion turistik
RELATED ARTICLES