Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka deklaruar se kanë vepruar në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, ditën e diel kur terroristët serb sulmuan patrullën policore. Përmes një komunikate, KFOR ka përsëritur se Policia e Kosovës ka ndërhyrë në përputhje me të drejtat e saj si reaguese e parë. Ndërsa ka theksuar se trupat e KFOR-it ishin të pranishëm në zonë duke vëzhguar situatën nga afër dhe “të gatshëm të përgjigjeshin, nëse kërkohej”. “Siç është theksuar edhe në deklaratën e KFOR-it të lëshuar më 24 shtator 2023, pas sulmit të kryer kundër Policisë së Kosovës në Banjska, Policia e Kosovës ka ndërhyrë në përputhje me të drejtat e saj të zbatimit të ligjit, si reaguese e parë. Trupat e KFOR-it ishin të pranishëm në zonë. Ata vëzhguan nga afër situatën dhe ishin të gatshëm të përgjigjeshin, nëse kërkohej. Gjatë gjithë kohës, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i kanë vepruar në koordinim të ngushtë, respektivisht si reagues i parë, i dytë dhe i tretë”, është theksuar në komunikatën e KFOR-it. Tutje është bërë e ditur se “komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të rregullt me EULEX-in, përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave të sigurisë së Kosovës si dhe shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë”. “KFOR-i gjithashtu do të vazhdojë të ofrojë kushtet e sigurisë të nevojshme që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ecë përpara. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve”, është bërë e ditur në komunikatë.
KFOR: Kemi vepruar në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in
RELATED ARTICLES