Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEKOSOVABorel: Dënoj sulmin, të ndalet menjëherë!

Borel: Dënoj sulmin, të ndalet menjëherë!

Shefi i BE për politikën e jashtme, Xhozep Borel (Josep Borrell) dhe i dërguari i BE për dialogun, Miroslav Lajçak kanë reaguar në lidhje me ngjarjen e regjistruar në veri të Kosovës, ku grupe të armatosura kanë sulmuar Policinë e Kosovës, duke i marrë jetën një efektivi, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur. Boreli dënon “në termat më të ashpër” sulmin, duke bërë thirrje që të ndalet menjëherë. Ai kërkon që faktet rreth sulmit të vërtetohen dhe autorët përgjegjës të përballen me drejtësinë. “Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjska/Banjskë në veri të Kosovës, i cili la të vdekur një polic dhe dy të plagosur. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë”, shkruan Boreli. Shefi i BE për politikën e jashtme thekson se më shumë jetë të pafajshme janë në rrezik ndërkohë që sulmet vijojnë, teksa shton se EULEX është në terren dhe në kontakt me KFOR-in. “Më shumë jetë të pafajshme janë në rrezik në armiqësitë e vazhdueshme në rrethinat e Manastirit të Banjskës. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë. EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, është në terren dhe në kontakt të ngushtë me autoritetet dhe KFOR-in. BE-ja dhe shtetet e saj anëtare vazhdimisht u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve që të punojnë për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës”, thekson Boreli. Ministrja e Jashtme e Prishtinës ka reaguar me tone të ashpra ndaj reagimit të Shefit të BE për politikën e jashtme, Xhozef Borel (Josep Borrell) lidhur me ngjarjen e regjistruar në veri të Kosovës. Përmes një reagimi në rrjete sociale, ajo shpreh rezerva ndaj reagimit të Borel ku sipas saj nuk vërehet qëndrim mbështetës ndaj Policisë së Kosovës. “Zoti Borrell, vërtet? Terroristët vrasin policinë – dhe ju thërrisni “të gjithë aktorët”? Asnjë fjalë mbështetjeje për policinë? As kundër terroristëve? A ju referuat edhe sulmeve terroriste në Spanjë si “armiqësore”? Sa turp. Si mund ta tolerojnë më këtë cinizëm anëtarët e BE-së?”, shkruan ajo në reagim. Ndërkohë edhe i Dërguari i posaçëm europian, Miroslav Lajçak dënoi fuqishëm sulmin e tmerrshëm kundër policisë së Kosovës. Lajçak shprehet se është koha që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut. “Dënoj fuqishëm sulmin e tmerrshëm kundër policisë së Kosovës mbrëmë. Dhuna e çdo forme është absolutisht e papranueshme. Zemra ime është për viktimat, familjet dhe kolegët e tyre. Autorët duhet të dalin para drejtësisë. Të gjithë duhet t’i kthehen dialogut menjëherë”, shkruan Lajçak. Ngjarja e rëndë u regjistrua në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele (24 shtator) në Mitrovicë Veri, në hyrje të fshatit Banjskë ku persona të armatosur bllokuan rrugën me kamionë dhe më pas qëlluan me armë zjarri dhe granata dore në drejtim të policisë së Kosovës. Për pasojë, një efektiv humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur. Qeveria e Kosovës ka akuzuar Beogradin zyrtar si përgjegjës për sulmin, ndërsa nuk ka end e reagime nga politika në Serbi. Ambasadori amerikan në Kosovë, Xhefri Hovenir (Jeffrey Hovenier) dënoi ashpër sulmet, duke kërkuar vendosjen e autorëve para përgjegjësisë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments