Reagimi i plotë i kryediplomates së Kosovës lidhur me fjalimin e Presidentit të Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së
Si ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës dënoj ashpër dhe i hedh poshtë në tërësi si të pavërteta dhe tentim për shtrembërim të historisë deklarimet lidhur me Republikën e Kosovës, të bëra nga Presidenti i Serbisë në paraqitjen e tij të sotme para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku ai, mes të tjerash, zanafillën e agresonit rus në Ukrainë e sheh tek pavarësimi i Kosovës, dhe paturpshëm pretendon se më 2008 Serbisë i ka ndodhur kjo që i ndodhë Ukrainës sot.
Për opinionin publik vendor e ndërkombëtarë e ndiej të nevojshme të përsëris këto fakte të pamohueshme historike:
– Pavarësia e Republikës së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008, është përmbushje e vullnetit të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, dhe ka ardhur pas një përpjekjeje të organizuar të shtetit të Serbisë për të zhdukur popullin shqiptar në Kosovë, për të cilën disa nga zyrtarët më të lartë shtetërorë, ushtarakë e policorë të Serbisë të atyre viteve janë gjykuar dhe dënuar nga Tribunali i Krimeve të Luftës i OKB-së, në Hagë.
– Deklarata e Shpalljes së Pavarësia e Kosovës nuk është shkelje e Ligjit Ndërkombëtar, e as rezolutave dhe dokumenteve të tjera relevante të OKB-së, rrjedhimisht as Kartës së OKB-së. Këtë e ka gjykuar dhe vendosur trupi më i lartë juridik i OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në opinionin e saj të nxjerrë më 22 korrik 2010,me kërkesë të vet Serbisë.
Me këto shpifje dhe përpjekje për shtrembërim të historisë, Presidenti i Serbisë ka keqpërdorur rëndë foltoren e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Nëse ka një ngjashmëri mes agresionit rus në Ukrainë dhe rastit të Kosovës, ajo është vetëm te fakti se Rusia sot ka marrë në shënjestër Ukrainën dhe ukrainasit ashtu si Serbia më 1999 kishte marrë në shënjestër Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës.
Kjo edhe është arsyeja pse Republika e Kosovës sot përkrah pa asnjë hezitim Ukrainën në luftën e saj të drejtë kundër agresorit kriminal rus. Kjo njëkohësisht duket qartë se është arsyeja pse Serbia vazhdon të mbështesë Rusinë e Putinit, siç e konfirmoi hapur dhe pa dilemë vet Presidenti i Serbisë në të njejtin fjalim në OKB.