Monday, November 25, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTURETë rejat e TIFF në edicionin e 21-të

Të rejat e TIFF në edicionin e 21-të

Në prag të çeljes së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë (TIFF, 23-29 shtator) themeluesi i tij, Agron Domi, dha një konferencë për mediet, ku prezantoi të rejat e TIFF në këtë 21-vjetor të tij.

Domi vuri theksin tek premierat, prodhimet e reja që vijnë ekskluzivisht për TIFF e që të apasionuarit e kinematografisë mund t’i gjejnë veç aty,  regjisorët e mëdhenj që do të jenë të pranishëm  fizikisht dhe përmes prodhimeve, e shumë veçanti të tjera që e bëjnë këtë festival nga më të kompletuarit në strukturën programative.

Emra si Milcho Manchevski, fitues në Venecia e kandidat për Oscars, apo Andreas Dresen, një nga zërat më të fuqishëm të kinemasë gjermane, do të jenë në masterclass-et e organizuar këtë vit nga TIFF, për të shkëmbyer ide mes regjisorësh e cinefilëve shqiptarë.

Në fokus të edicionit të 21-të të TIFF do të ketë kinemanë suedeze, në sesionin “Swedish stories”, ku përfshihen filmat: “Burn all my letters” prodhuar në vitin 2022, “I am Zlatan” (2022) dhe “The emigrants” (Utvandrarna) i vitit 2021.

Duke bërë dallimin me festivale simotra në vend e në botë, Agron Domi tha se, TIFF nuk përzgjedh thjeshtë skenarin më të mirë, por partnerët e festivalit përzgjedhin skenarin më të mirë të gatshëm për t’u prodhuar, për t’u kthyer në film.

Sipas organizatorëve, “qershia mbi tortë” mbetet sesioni i filmit të shkurtër, fituesi i të cilit fiton të drejtën për të kandiduar në Oscars.  TIFF është i fundit prej 94 festivaleve në nivel global që çon propozimin e tij në Academy of Motion Picture Arts and Sciences.

Tirana International Film Festival është një festival indipendent, prej të cilit promovohen filma autor, jo komercialë, të cilët ndryshe do ta kishin të vështirë të çanin tregun e kinemasë e distribucionit. Edhe për këtë vit ATSH mbështet TIFF si official media partner.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments