Çdo vit, Dita Ndërkombëtare e Paqes festohet në mbarë botën më 21 shtator. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e ka shpallur këtë ditë si një ditë kushtuar forcimit të idealeve të paqes, duke respektuar 24 orë pa dhunë dhe armëpushim. Asnjëherë bota jonë nuk ka pasur më shumë nevojë për paqen. Tema e këtij viti është “Veprimet për Paqe: Ambicia jonë për synimet në rang global”. Është një thirrje për veprim që njeh përgjegjësinë tonë individuale dhe kolektive për të nxitur paqen. Nxitja e paqes kontribuon në realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm për arritjen e një kulturë paqeje për të gjithë. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara António Guterres tha se, “Paqja është e nevojshme sot më shumë se kurrë. Lufta dhe konflikti po lëshojnë shkatërrime, varfëri dhe uri dhe po dëbojnë dhjetëra miliona njerëz nga shtëpitë e tyre. Kaosi klimatik është kudo. Madje edhe vendet në paqe janë të kapluara nga pabarazitë dhe polarizimi politik”. Objektivat e OKB-së synojnë shoqëri më paqësore, të drejta dhe gjithëpërfshirëse, pa frikë dhe dhunë. Por pa pjesëmarrjen dhe kontributin e një game të gjerë aktorësh, duke përfshirë 1.2 miliardë të rinj, qëllimet nuk do të arrihen. Kombet e Bashkuara bëjnë thirrje për të ndërmarrë veprime për paqen: luftoni pabarazinë, nxitni veprimin për ndryshimet klimatike dhe promovoni dhe mbroni të drejtat e njeriut.