Tre ditët e lirisë në burgun e Spaçit u sollën pasditen e djeshme në kinema “Millenium” nga dëshmitë e protagonistëve të revoltës së Spaçit në një dokumentar të realizuar me përkushtim nga skenaristja Luljeta Progni dhe regjisori Pandeli Çeço. Premiera e këtij dokumentari mblodhi së bashku jo vetëm ata që vuajtën personalisht ferrin e diktaturës komuniste, të mbijetuar dhe familjarë, por edhe figura të jetës publike e politike, studiues, gazetarë, aktivistë e qytetarë. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Trupit Diplomatik. Në paraqitjen e shkurtër para të pranishmëve në sallë, skenaristja Progni tregoi se nuk kishte qenë e lehtë të mblidhte dëshmitë e të mbijetuarve të Spaçit, pasi duke rrëfyer ajo mund të ndjente se si ringjallej trauma e tyre e vuajtjeve. Ajo tregoi se dokumentarë si ky për revoltën e Spaçit mbeten kujtesë për të tashmen dhe të ardhmen, ndërsa vuri në dukje se herë pas here ndeshet me indiferencën e disa segmenteve të shoqërisë apo edhe me mosbesimin e tyre për ekzgjarimin e ngjarjeve të kohës. Dokumentari prodhuar nga Kujto.al u mbështet nga Ambasada e Zvicrës në kuadër të përkujtimit të 50-vjetorit të Revoltës së Spaçit. Ambasadorja e Zvicrës, Ruth Huber në fjalën e saj u shpreh se ky dokumentar tregon historinë e atyre që guxuan të ëndërrojnë për një Shqipëri të lirë. “Zvicra mbështet këtë nismë për shkak se të përballesh me të kaluarën është e rëndësishme për shoqërinë shqiptare. Që demokracia të jetë e plotë, persekutimi i shkaktuar nga ish-regjimi duhet të bëhet i njohur. Kjo nis me të treguarit e historive të atyre që vuajtën më shumë”, theksoi ajo. Dokumentari solli në sallë atmosferën e burgut të tmerrshëm të Spaçit, trajtimin çnjerëzor të të burgosurve politikë, punën e rëndë, mungesën e ushqimit dhe izolimin e tyre në biruca ku lidheshin duarsh e këmbësh. Si nisi revolta e Spaçit? Dëshmitarët pohuan se ajo lindi si revoltë ndaj trajtimit të pamëshirshëm ndaj tyre dhe përfundoi me ngritjen për tre ditë të flamurit kombëtar pa yll. Dëshmitarët e dokumentarit janë ish-të burgosur dhe ish-protagonistë të revoltës: Visar Zhiti, Xhavit Lohja, Zenel Dragu, Ylber Merdani, Tomi Kondakçi, Gjetë Kadeli, Pavllo Popi, Gëzim Çela. “Rroftë Shqipëria e lirë” “Poshtë komunizmi”, “Poshtë diktatura”, “Ne jemi me Evropën e lirë”, ishin thirrjet që oshëtinë grykave të maleve të Mirditës kur të burgosurit politik të Spaçit u ngritën në revoltë kundër diktaturës. 50 vjet më parë, djem e burra trima u përballën me versionin më të egër të diktaturës kur guxuan të kundërshtojnë dhunën, torturat, urinë, skllavërinë prej punën së detyruar në galeritë e ftohta të minierës së piritit e bakrit. Dokumentari kushtuar revoltës së Spaçit sjell ngjarjet minutë pas minute për tri ditët e revoltës, rrëfyer prej protagonistëve kryesorë e dëshmitarëve të ngjarjeve që shënuan 3 ditët e rezistencës në kampin burg të Spaçit. 50 vjet nga Revolta e Spaçit Spaçi nisi të funksionojë si kamp pune të detyruar në vitin 1968, për të shfrytëzuar punën e të burgosurve politikë në minierë. Në një mjedis të tensionuar për shkak të punës së rëndë, u desh vetëm një shkëndijë që më 21 maj 1973, në Spaç, të niste revolta më e madhe e të burgosurve politikë në Shqipërinë komuniste dhe ndër më të mëdhatë në Evropën Lindore. Të burgosurit kërkonin të drejtat e tyre duke thirrur “Poshtë komunizmi!” dhe “Rroftë Shqipëria e lirë!” Ata ngritën mbi kamp flamurin kombëtar pa yllin komunist. Të burgosurit rezistuan deri mëngjesin e 23 majit, kur forca të shumta policore e shtypën me dhunë revoltën. Më 24 maj 1973 u vendos të dënoheshin me pushkatim Skënder Daja (23 vjeç), Dervish Bejko (27 vjeç), Hajri Pashaj (29 vjeç) dhe Pal Zefi (33 vjeç). U ekzekutuan po atë ditë. Eshtrat e tyre nuk janë gjetur ende. Dhjetëra të burgosur të tjerë u ridënuan me burg.