Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë për herë të parë në bashkëpunim me UEFA-n në Shqipëri programin “Coach Educators”, që do të zhvillohet në datat 25-30 tetor në Shtëpinë e Futbollit. Bëhet fjalë për një kurs mjaft të rëndësishëm që synon të kualifikojë dhe të rrisë nivelin e trajnerëve, të cilët do të jenë lektorë dhe do të mësojnë trajnerët në kurset e ardhshme të të gjitha niveleve. Së bashku me drejtuesit e Sektorit të Edukimit në FSHF pjesëmarrës në udhëheqjen e këtij programi do të jetë edhe anëtari Panelit Jira në UEFA, Dariusz Pasieka, i cili ka një eksperiencë të madhe në përgatitjen e trajnerëve. Paneli Jira përbëhet nga teknikë të respektuar evropianë, të cilët punojnë për UEFA-n për të ndihmuar e mbështetur formimin e trajnerëve të kualifikuar futbolli për të rritur sa më mirë brezat e ardhshëm të futbollistëve. Sakaq, pjesëmarrësit në këtë kurs të parë do të jenë trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave si edhe disa personalitete të tjerë futbolli, të cilët janë të angazhuar si lektorë në kurset e trajnerëve, ndërkohë që në përfundim të kursit të gjithë do të pajisen me një licencën përkatëse të UEFA-s si “Coach Educators”. Përmes kësaj licencë lektorët e kurseve do të kenë kualifikimin e duhur për t’u angazhuar në kurset e ardhshme të trajnerëve që organizon FSHF.