Thursday, November 28, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTSPORTKombëtarja e vajzave sfidon Hungarinë dhe Irlandën e Veriut

Kombëtarja e vajzave sfidon Hungarinë dhe Irlandën e Veriut

Kombëtarja shqiptare e vajzave nis sot përgatitjet për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve të muajit shtator, ndaj Hungarisë më 22 shtator në ‘Loro Boriçi’ dhe ndaj Irlandës së Veriut në transfertë më 26 shtator. Dy rivale mjaft të vështira për Kombëtaren e vajzave të drejtuara nga trajneri Armir Grima, i cili ka grumbulluar plot 21 vajza për këto dy sfida të rëndësishme. Në një prononcim për fshf.org, tekniku kuqezi zbulon se do t’i kërkojë ekipit të bëjë një hap më tej në këto ndeshje, pasi ndryshe nga vitet e tjera, tashmë skuadra është më e pjekur. Trajneri Grima nënvizon se, skuadra duhet të jetë e përqendruar në të dyja këto dy sfida për të marrë një rezultat pozitiv. “Presim shumë nga këto ndeshje dhe nga vajzat. Jemi në fazën e pjekurisë tashmë, nuk jemi më ekip i ri dhe të provojmë. Duhet të luajmë me shpirt e zemër në fushë, ashtu sikurse pamë edhe skuadrën A të djemve. Uroj që të arrijmë diçka më shumë se ç’kemi arritur në vitet e tjera. Kemi ndeshje të vështira, pasi as Hungaria dhe as Irlanda e Veriut nuk janë kundërshtarë të lehtë. Por duke qenë të përqendruar dhe duke besuar te vetja e tek aftësitë që ka ekipi ynë, duke dhënë maksimumin tonë, mund t’ia dalim me sukses. Asgjë nuk arrihet nëse i marrim lehtë ndeshjet”, thotë trajneri Grima, ndërsa flet edhe për elementët e rinj që janë afruar në ekipin A, duke nënvizuar që stafi pret surprizën nga ato. “I kemi pasur edhe më parë në ekip vajzat, por vetëm në grumbullime rutinë dhe jo në ndeshje zyrtare. I kemi ndjekur dhe po i japim mundësinë që ato të luajnë për herë të parë me ekipin kombëtar A. Ne presim surprizën nga ato, presim që këto katër lojtare të reja të bëhen njësh me të gjitha vajzat e tjera në skuadër dhe të japin maksimumin. Duhet të luftojnë shumë për të qenë në vazhdim pjesë e kombëtares A. Duhet të na bindin me lojën e tyre në fushë”. Sa i përket objektivave, Grima u shpreh se, “jemi të përqendruar totalisht te ndeshja e parë me Hungarinë. Ne kemi një grup shumë të mirë vajzash dhe besoj që do i marrim maksimumin të dyja ndeshjeve. E theksova edhe më lart, të dyja ndeshjet janë shumë të vështira, kemi përballë kundërshtarë me cilësi mjaft të larta, por besoj se do ia dalim të marrim rezultat pozitiv nëse luajmë fort dhe kemi besim te vetja”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments