Në vlerë rreth 35 milionë dollarë është marrëveshja e grantit që u nënshkrua sot nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ushtruesja e detyrës së USAID-it, Kerry Monaghan Hogler. E para e shtetit deklaroi se kjo marrëveshje do të kontribuojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve ndërsa ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, tha se po konfirmojnë partneritetin afatgjatë e të qëndrueshëm me Kosovën. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, presidentja Vjosa Osmani tha se kjo dëshmon mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë dhe popullit amerikan për Kosovën. “Do të kontribuojë drejtpërdrejt në plotësimin e objektivave zhvillimore të vendit tonë. Sot së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruam marrëveshjen e grantit për zhvillim. Si rezultat i saj do t’i kemi në dispozicion gati 35 milionë dollarë, për projekte të cilat kontribuojnë në përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve tanë, pa dallim. Kjo marrëveshje është dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme të qeverisë dhe të popullit amerikan ndaj Republikës së Kosovës dhe popullit të saj. Në përpjekje tona për të garantuar një të ardhme më të begatë për qytetarët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ofruar vetëm mbështetje por një partneritet të vërtetë”, deklaroi Osmani. Para medieve ajo shtoi se partneriteti me Amerikën është i ndërtuar në besim të ndërsjellë dhe i fuqizuar nga vlerat e përbashkëta. Kjo marrëveshje, siç tha Osmani, është e ndërtuar mbi parimet e demokracisë, llogaridhënies dhe rritjes ekonomike “Një nga objektivat parësore të kësaj marrëveshje është të sigurojë shërbime më të mira për qytetarët tanë, nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve institucionale. Në këtë mënyrë do të fuqizohet administrata publike, do të eliminohet burokracia dhe do të promovohet transparenca. Duke nxitur llogaridhënien dhe efikasitetin brenda institucioneve publike, kjo marrëveshje do të kontribuojë në reduktimin e vazhdueshëm të korrupsionit dhe rritjen e efikasitetit të reagimit ndaj nevojave të qytetarëve tanë”, shtoi ajo. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier u shpreh se nënshkrimi i kësaj marrëveshje konfirmon partneritetin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të Amerikës për Kosovën. “Mendoj se është e duhur që të konfirmojmë sërish partneritetin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të ShBA-së për popullin e Kosovës. Dhe ky fond shtesë do të mbështes qëllimet strategjike të ShBA-së për Kosovën, përfshirë përpjekjet për avancimin e integrimit të Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përpjekjet për promovimin e rritjes dhe përparimit ekonomik dhe përpjekjet për forcimin e qeverisjes së mirë dhe të zhvillimit të institucioneve demokratike. Të gjitha programet e USAID-it në Kosovë, kanë për qëllim që të sigurojnë që të gjithë kosovarët kanë qasje efikase dhe të prekshme në shërbimet që i ofrojnë institucionet e tyre, që kanë mundësi për të kërkuar llogari për ato shërbime dhe të mund të lulëzojnë përmes mundësive të forta ekonomike dhe demokratike”, u shpreh ai. “Është e dobishme që të thuhet se prej vitit 1999, ShBA-ja ka investuar më shumë se dy miliardë dollarë, duke çuar përpara qëllimet tona të përbashkëta, përfshirë investime mbi 1 miliard dollar nga USAID-i. Dhe ma merr mendja që ky është manifestim i përkushtimit tonë ndaj popullit kosovar, siç ishte edhe marrëveshja e nënshkruar sot”, përfundoi Hovenier.
Granti rreth 35 milionë dollarë: Konfirmohet partneriteti i qëndrueshëm me Kosovën
RELATED ARTICLES