Oborret dhe palestrat e shkollave në bashkinë e Shkodrës do të jenë në funksion edhe të komunitetit. Lajmi u bë i ditur nga kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, i cili zhvilloi sot një takim me drejtuesen e Zyrës Vendore për Arsimin Parauniversitar dhe drejtuesit e shkollave. “Ndërtesat e shkollave administrohen nga bashkia ndaj diskutova me ta nismën që oborret e palestrat e tyre të hapen për komunitetin, pa penguar procesin mësimor”, theksoi Beci. Kryebashkiaku Beci u shpreh se “mjediset publike të hapura për banorët e lagjeve dhe njësive administrative të Shkodrës janë vetëm hapi i parë që hedhim të gjithë bashkë për më shumë hapësira për banorët që nga më të vegjlit deri tek të moshuarit, për të luajtur, për t’u stërvitur apo për të qëndruar në natyrë pa asnjë pagesë”. Hapja e shkollave komunitare ka në fokus forcimin e mëtejshëm të partneritetit shkollë-familje-komunitet. Në shkolla ofrohen larmi aktivitetesh sportive, kulturore dhe artistike. Po ashtu, ato janë ndihmëse në përmirësimin e arritjeve dhe zhvillimin e potencialit të çdo nxënësi. Shkolla nuk konceptohet më si një mjedis i veçuar, por si institucion në shërbim të të gjithëve.