Universiteti i Durrësit, 15-17 shtator raundi i dytë i regjistrimit

0
21

Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës do të çelë nesër, 15 shtator, raundin e dytë të regjistrimeve.

Në një postim në rrjetet sociale, UAMD i bën apel maturantëve që nëse nuk kanë aplikuar dhe nuk janë shpallur fitues apo nuk kanë arritur të regjistrohen të aplikojnë online në periudhën 15-17 shtator për raundin e dytë, duke përzgjedhur 10 degë të preferuara në këtë universitet.

“Për këtë vit akademik 2023- 2024, janë shtuar edhe degët prioritare, në të cilën qeveria ka vendosur se për të gjithë studentët që do të regjistrohen në këto programe do të përfitojnë një bursë sa paga minimale (40.000 lekë të reja) dhe nuk do të ketë kriter të mesatares”, theksoi UAMD .

Sipas UAMD programet prioritare ku maturantët mund të aplikojnë në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës janë: Turizëm, Menaxhim Turizëm me profil “Hotel- Restorant”, Program profesional 2 vjeçar në “Guidë Turistike”, Mësues për Arsim Parashkollor, Mësues për Arsim Fillor, Gjuhë – Letërsi, Navigacion dhe Menaxhim Detar.

Kandidatët fitues regjistrimin e bëjnë pranë sekretarive mësimore të fakulteteve përkatëse, ku duhet të dorëzojnë dokumentin e identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja; fotokopja e noterizuar e diplomës së Maturës Shtetërore ose dëftesa e pjekurisë, së bashku me certifikatën e notave ose një dëftesë/diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit dhe të njësuar në MASR, si dhe mandati i pagesës së tarifës së regjistrimit dhe deklaratën, e cila plotësohet nga aplikanti në prani të punonjëses së sekretarisë mësimore të IAL-së dhe që nënshkruhet nga aplikanti dhe nga punonjësja e sekretarisë.