Zjarret masive në të gjithë hemisferën veriore deri më tani kanë shkaktuar emetime të karbonit në nivele rekord, sipas një vlerësimi paraprak nga Shërbimi i Monitorimit të Atmosferës së BE-së (CAMS). Zjarret në pyje vazhdojnë të digjen në disa pjesë të hemisferës veriore dhe sezoni i zjarrit në rajonet veriore në 2023 zgjat nga maji deri në fund të tetorit. Zjarret në Kanada, të cilat filluan në maj, ishin kryesisht më masivet. Sipas CAMS, zjarret në pyjet kanadeze shkaktuan pothuajse 410 megaton emetime karboni deri më tani, duke regjistruar vlerën më te lartë të matur ndonjëherë në Kanada. Disa nga shtëllungat e tymit arritën deri në Evropë. Deri më tani, ata kanë qenë përgjegjës për 27% të emetimeve globale të karbonit këtë vit. Vazhdimi i zjarreve aktive në Kanada do të thotë që emetimet kanë të ngjarë të rriten më tej. “Edhe pse zjarret në pyje janë një dukuri e rregullt, ndryshimet klimatike po ndikojnë gjithashtu”, sipas CAMS. “Ndërsa temperaturat vazhdojnë të rriten dhe kushtet e thata bëhen më afatgjata, shanset për të përjetuar zjarre shkatërruese si ato në Kanada po rriten”, tha Mark Parrington, shkencëtar i lartë në CAMS. Zjarret e mëdha pyjore kanë përfshirë gjithashtu Rusinë, Gadishullin Iberik, Greqinë dhe ishullin amerikan të Mauit. Emetimet totale nga Greqia gjatë verës arritën nivelin e tretë më të lartë në rekord, pas 2007 dhe 2021, sipas CAMS. CAMS është një nga disa komponentë të programit Copernicus të Bashkimit Evropian. Ai siguron të dhëna për atmosferën, oqeanet, tokën, ndryshimet klimatike, sigurinë dhe energjinë e marrë nga imazhet satelitore.
CAMS: Emetimet nga zjarret në pyje në nivele rekord
RELATED ARTICLES