Vreshtat në serra në rajonin e Lushnjës kanë shënuar prodhim të bollshëm këtë vit. Rrushi për industri i mbjellë në fusha e kodra u dëmtua nga klima jo e favorshme e këtij viti, por serrat janë plot me rrush tavoline. Fermerët në Lushnjë shprehen se, ky është viti më i mbarë në vreshtari, për faktin se prodhimi jo vetëm që po shitet i gjithë, por edhe çmimi është më i lartë. “Nga 120 deri në 150 lekë për kilogram është kërkesa aktuale për tregun e shumicës dhe cilësia është në parametrat e duhur”, thonë ata. Specialistët e bujqësisë bëjnë të ditur se, prodhuesit e vreshtave këtë vit kanë shtuar volumin e punës për të luftuar sëmundjet që prekin sipërfaqet e mbjella. Për agronomin Beshir Sina, shumë shpenzime dhe punë krahu të bëra nga pronarët e vreshtave, tashmë po shpërblehen me shitjet. Rrushi për konsum tavoline po tregtohet me shumicë. Zona Allkaj në Lushnjë ka mbi 200 ha vreshta në serra dhe çdo vit sipërfaqet po shtohen me varietetet për konsum ditor. Aktualisht prodhimi këtë vit po tregtohet i gjithi mbi 100 lekë për kg dhe sasia që është e pa vjelë do të furnizojë tregun vendas deri në dhjetor për vitin e ri. Prodhimi vendas i rrushit, tashmë edhe në serra, po dominon gjithnjë e më tepër, jo vetëm në furnizimin e tregut vendas, por edhe në eksporte. Falë mbështetjes së AZHBR-së, përmes programit IPARD, fermerët kanë zgjeruar investimet në plantacionet me vreshta. Gjithashtu po shtojnë serrat, për kultivimin e rrushit të tavolinës, duke shtuar ndjeshëm prodhimin dhe dyfishuar eksportet e rrushit. Me mbështetjen nga programi IPARD II ata kanë investuar në përmirësimin e teknologjisë nëpërmjet përdorimit të mekanikës bujqësore, duke rritur prodhimin dhe përmirësuar ndjeshëm standardet e fidanëve të rrushit. Sot rrushi “Made in Albania” shkon në supermarketet e Evropës, falë një zinxhiri të mirëorganizuar fermerë – përpunues – shitës. Mbi 11 mijë ha vreshta të shtrira në të gjithë territorin, kanë bërë të mundur që prodhimi vjetor i vreshtarisë në Shqipëri, përfshi edhe pjergullat, të arrijë rreth 190 mijë tonë rrush. Ndërsa vitet e fundit ka filluar edhe kultivimi i rrushit të tavolinës në serra, që siguron hershmëri të prodhimit dhe rendiment të lartë. Zonat kryesore të prodhimit të rrushit gjenden mes kodrave dhe bregdetit të Shqipërisë Qendrore. Fieri, Berati, Elbasani dhe Vlora, janë qarqet me përqindjen më të madhe të prodhimit; këto katër qarqe japin më shumë se gjysmën e prodhimit vendas të rrushit. Rrushi i prodhuar në serra i cilësisë së parë shitet kryesisht në Kosovë, Kroaci, Rumani, Slloveni, Serbi, Mal të Zi. Ndërkohë importet kanë rënë në mënyrë domethënëse nga viti në vit.
Kultivimi i rrushit në serra, dyfishohet prodhimi në Lushnjë
RELATED ARTICLES