Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër në bashkëpunim me banorët e fshatit Saraqinisht, Njësia Administrative “Antigone” filloi ndërhyrjen emergjente për restaurimin në një pjesë të çatisë të narteksit të Kishës së “Shën Kollit”. Kisha daton më 1630 dhe përbëhet nga narteksi, naosi dhe eksonarteksi ose hajati i hapur. Naosi është i tipit në formë kryqi me kupolë, me përmasa të brendshme 8.0m x 6.8m. Narteksi paraprihet në anën perëndimore nga hajati i hapur me një radhë kollonash në ballë. Hajati mbulohet me çati njëujëse, më të ulët nga ajo e narteksit. Kisha e Shën Kollit në Saraqinisht është Monument Kulture i kategorisë I. Në ndërtim janë përdorur edhe kolona antike guri të marra nga Antigonea. Këto mund të vërehen në hajat, ndërsa një e tillë e plotë ndodhet në oborr.
Ndërhyrje emergjente në kishën e Shën Kollit në Saraqinisht
RELATED ARTICLES