Saturday, November 23, 2024
HomeMETEOROLOGJIGjithçka duhet të dini për fenomenin e rrezikshëm El Nino

Gjithçka duhet të dini për fenomenin e rrezikshëm El Nino

OKB-ja ka paralajmëruar për valë rekord të të nxehtit pasi fenomeni El Nino pritet të rikthehet.

Temperaturat rekord të vërejtura në vitet e fundit mund të përkeqësohen pasi El Nino rrit më tej temperaturat e Tokës, ndërsa OKB-ja i ka bërë thirrje botës që të përgatitet për mot më ekstrem.

Agjencia e motit e OKB-së, Organizata Botërore Meteorologjike (WMO), paralajmëron se rikthimi i modelit klimatik të El Nino këtë vit ka shumë të ngjarë të ndodhë.

Fenomeni që ndodh natyrshëm është i lidhur me temperaturat e rritura që mund të rrisin rekordet ekstreme të nxehtësisë që janë parë vitet e fundit.

WMO vendos probabilitetin që El Nino të ndodhë deri në fund të shtatorit në 80%.

“Kjo do të ndryshojë modelet e motit dhe klimës në mbarë botën,” ka deklaruar zyrtari i WMO Wilfran Moufouma Okia.

Fundi i periudhës së ftohjes- La Nina

Efektet e ngrohjes së El Nino kanë ndodhur për herë të fundit nga viti 2018 deri në vitin 2019, por ka pasur një periudhë të gjatë ftohjeje, e njohur si La Nina, që nga viti 2020.

Pavarësisht kësaj periudhe ftohjeje, tetë vitet e fundit kanë qenë më të ngrohtat e regjistruara ‘falë’ ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga dora e njeriut. WMO tani ka paralajmëruar botën që të përgatitet për temperatura edhe më të ngrohta ndërsa El Nino fillon të rikthehet.

La Nina “veproi si një frenim i përkohshëm në rritjen e temperaturës globale”, tha në një deklaratë Sekretari i Përgjithshëm i WMO, Petteri Taalas duke shtuar se: Tani “bota duhet të përgatitet për zhvillimin e El Nino.” Ardhja e pritshme e modelit klimatik “ka shumë të ngjarë të çojë në një rritje të re të ngrohjes globale dhe të rrisë mundësinë e thyerjes së rekordeve të temperaturave”.

Cili do të jetë ndikimi i El Ninos?

Ekspertët nuk janë ende në gjendje të parashikonin se sa kohë ose sa i fortë do të jetë El Nino këtë herë.

Ngjarja e mëparshme u konsiderua relativisht e dobët, por ajo më parë, nga viti 2014 në 2016, ishte një nga më të fortat e regjistruara.

2016-ta ishte “viti më i ngrohtë i regjistruar për shkak të “goditjes së dyfishtë” të një ngjarjeje shumë të fuqishme nga El Nino dhe ngrohjes së shkaktuar nga njeriu nga gazrat serrë”, konstaton WMO.

El Nino gjithashtu mund të shfaqet ngadalë, dhe efekti në temperaturat globale priret të jetë më i dukshëm një vit pasi të shfaqet, kështu që ndikimet më të këqija mund të shihen fillimisht në vitin 2024.

Modeli i klimës shpesh sjell rritje të reshjeve në zona të caktuara si Amerika e Jugut, Azia Qendrore dhe Briri i Afrikës duke dhënë shpresa se mund t’i japë fund një thatësire të vazhdueshme atje.

Por është gjithashtu i lidhur me një rrezik në rritje të thatësirës në zona të tjera si Australia, Indonezia dhe pjesë të Azisë jugore.

Shefi i WMO Taalas bëri thirrje për sisteme paralajmërimi të hershëm mes frikës se El Nino mund të “shkaktojë gjithashtu ngjarje më ekstreme të motit dhe klimës”.

El Nino është fenomeni i një ngrohjeje periodike e oqeanit, për disa muaj, në një zonë përgjatë ekuatorit nga bregu perëndimor i Amerikës së Jugut, drejt Oqeanit Paqësor qendror. Rritja e temperaturës është për shkak të një ndryshimi në drejtimin normal të erës, i cili krijon efekte të dëmshme si rezultat i nxehtësisë së lëshuar në atmosferë. Ndodh në mënyrë të parregullt çdo 2-7 vjet.

Në anën tjetër të kësaj është La Nina, e cila është ftohja e ujërave në të njëjtin rajon, që ndodh më rrallë se një vit pas El Nino.

Për Amerikën, El Nino zakonisht sjell reshje më të mëdha dëbore në vendpushime apo në zona si Sierra Nevada dhe Rockies Jugore, për fat të keq kjo zakonisht nënkupton temperatura më të ngrohta dhe më pak reshje bore për vendpushimet veriore të SHBA-së.

Alpet Evropiane janë shumë më larg nga burimi, dhe nuk ka pasur kurrë një lidhje të provuar midis El Nino dhe reshjeve të borës nëpër Alpe.

Megjithatë, është argumentuar se ndikimi në Evropë është i lidhur ngushtë me forcën e fenomenit El Nino. Dimri i fundit El Nino në 2009/2010 regjistroi motin më të ftohtë në Europë për disa dekada.

Megjithëse El Nino nuk sillet kurrë në të njëjtën mënyrë dy herë, meteorologët po sugjerojnë se kushtet këtë sezon mund të pasqyrojnë ato të dimrit 2009/2010, me El Nino të këtij viti që parashikohet të jetë më i forti që nga viti 1950.

Sa do preket Europa?

Nëse viti ‘më i ftohtë’ La Ninaa i 2022-shit ishte një vit i thatësirave të ashpra në verë, në fakt viti 2023 është një vit i thatësirave në dimër. Shumë nga lumenjtë e Evropës nuk janë rimbushur mjaftueshëm gjatë dimrit. Lumenjtë si Po – më i madhi i Italisë – nuk janë rikuperuar nga nivelet më të ulëta të vitit 2022. Uji i detit ka përmbytur grykëderdhjet dhe fermerët nuk kanë qenë në gjendje të punojnë sepse toka e tharë është shumë e fortë. Kushtet e ngjashme ekzistojnë edhe në Francë, e cila pësoi 31 ditë dimri të paprecedentë pa shi. E gjithë Spanja ka qenë në thatësirë zyrtare që nga janari, dhe si përgjigje ka vendosur masa emergjente për ruajtjen e ujit që, kryesisht duke prekur fermat, mund të kushtojnë 25,000 vende pune këtë vit.

Edhe vendet që i kanë shpëtuar thatësirës, si Gjermania, Austria dhe Britania e Madhe, kanë pasur dimër jashtëzakonisht të thatë. Mbretëria e Bashkuar, për shembull, qëndron në prag të thatësirës dhe zyrtarët thonë se një periudhë e zgjatur e reshjeve nën mesatare ose temperatura mbi mesataren do ta shtyjë atë përtej këtij pragu.

El Nino zakonisht prek Evropën duke sjellë mot më të ngrohtë dhe më të lagësht. Si rezultat, ekspertët vitin e kaluar parashikuan një lehtësim dimëror nga thatësira, për shkak të dobësimit të kushteve të La Nina (që zakonisht sinjalizojnë një klimë më të thatë). Lehtësimi i premtuar nuk ka ardhur. Që Evropa do të bëhet më e nxehtë duket e sigurt, por premtimi për kushte më të lagështa është gjithnjë e më i pamundur. Si gjithmonë, duhet të kujtojmë se ndryshimi i klimës nuk rrit thjesht temperaturën e klimës, por e bën atë të paqëndrueshme dhe nuk ka gjasa të përgjigjet siç do të prisnim gjatë variacioneve klimatike ‘natyrore’.

*Artikulli, përkthyer dhe përshtatur në shqip nga MeteoAlb

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments