Kur isha i vogël, si shumë të tjerë, shikoja futboll dhe shikoja veçanërisht kur lojtarët festonin dhe mendoja – do të doja të isha unë. Dhe në njëfarë mënyre ishte e natyrshme që unë të bëhesha sulmues, tha Erling Haaland, lojtari i Manchester City-t dhe kombëtares së Norvegjisë, i cili mbrëmë u shpall lojtari i vitit për sezonin e kaluar nga Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) në Monte Carlo. “Në atë kohë ushtroja me miqtë e mi se si të festoja kur të bëhesha lojtar. Provova festime të ndryshme të golave”, tha Haaland në një konferencë ekskluzive për media në të cilën kishin qasje vetëm gazetarët e jurisë së UEFA-s për futbollistin më të mirë në Evropë. I pyetur nëse fryt i suksesit të tij është talenti, ai u përgjigj: “Vështirë se është talenti. Nuk e di nëse kam lindur me talent. Në fakt, nuk mendoj se kam qenë shumë i talentuar. Kam punuar shumë fort, kështu që erdhi deri të një mirëkuptim i natyrshëm i lojës dhe gjithçka tjetër që shkon me të. E dua këtë ndjesi. Prandaj unë bëj atë që bëj”. Ai po ashtu theksoi se sezoni i kaluar ishte më i miri në karrierën e tij, sepse me Manchester City-n e fitoi Ligën e Kampionëve UEFA, por edhe u bë kampion i Anglisë. “Po jetoj një ëndërr. Kam arritur sukses të madh me shokët e mi sezonin e kaluar. Megjithatë, e gjithë kjo më jep një motivim të madh për të vazhduar me të njëjtin ritëm edhe në sezonet në vijim”, tha Haaland. Rrjedhimisht edhe çmimi i UEFA-s për trajnerin më të mirë të vitit shkoi për City-n, pasi menaxheri më i mirë i sezonit të kaluar u shpall trajneri i City-t, Josep Pep Guardiola. “Pep është një trajner i shkëlqyer, por edhe kërkon shumë. Të gjithë e dinë këtë dhe të gjithë mund ta shohin vetë”, tha Haaland, kurse për atë që ishte më e vështira në rrugën drejt suksesit, ai thotë: “Kur erdha në Manchester City nuk ishte e lehtë për mua, sepse është një klub që nuk është mësuar të luajë me një sulmues klasik dhe për mua ishte një sfidë edhe më e madhe për të treguar se ata mund të luajnë edhe me sulmues. Shumë njerëz më thanë se zgjodha klubin e gabuar, se kisha gabuar që shkova në City. Është normale, njerëzit gjithmonë do të komentojnë. Detyra ime është t’u dëshmoj se e kanë gabim. Është një klub i madh, nuk ishte e lehtë. Ka shumë ndeshje dhe sinqerisht nuk e di cila ishte sfida ime më e madhe. Por? Ja që doli mirë”, theksoi ai.