Njoftim-Ministria e Bujqësisë

0
37

Ju bëjmë me dije se në të gjithë territorin e vendit vazhdojnë kontrollet për të siguruar identifikimin dhe izolimin e rasteve të mundshme. Në 24 orët e fundit sërish nuk kemi të konfirmuar asnjë rast të ri prezence të sëmundjes së Influencës Aviare nga laboratori në ISUV. Aktualisht nuk ka as mostra në proces analizimi. Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve vazhdon kontrollet në ferma me drejtim për prodhim vezë, mishi dhe miks në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Po ashtu vazhdon kontrolli i territorit edhe në liqene, laguna dhe në tregjet e palicensuara, në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore. Nga kontrolli i kryer nuk janë konstatuar shpendë të tjerë të sëmurë apo të ngordhur. Në përputhje me Planin e Kontigjencës, vazhdon dezinfektimi i vatrave. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit gjithashtu vazhdon rregullisht monitorimin dhe nuk janë konstatuar shkelje apo problematika. Ushqimet në tregun tonë, në pikat tregtare të licensuara janë të kontrolluara. Nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperatura më të larta se 70 gradë Celsius. Nëse konstatoni shenja të dyshimta për influencë aviare në ferma apo oborre, ju bëjmë thirrje të kontaktoni menjëherë veterinerin zyrtar të zonës ose të telefononi falas në numrin e gjelbër 0800 33 66. Informacione të mëtejshme i gjeni në faqet zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve si dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.