Tuesday, November 26, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIBiznesi dhe konsumatorët besim në ekonomi

Biznesi dhe konsumatorët besim në ekonomi

Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) që mat besimin e biznesit dhe të konsumatorëve për ekonominë, iu rikthye rritjes në muajin gusht, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.

Sipas rezultateve të vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, TNE u rrit me 2.1 pikë krahasuar me muajin korrik, ndërsa qëndron 14.1 pikë mbi mesataren afatgjatë.

Rritja e TNE-së u përcaktua nga rritja e besimit në sektorët e shërbimeve dhe ndërtimit, ndërkohë që besimi në bizneset e tregtisë dhe të industrisë, si dhe besimi konsumator regjistruan përsëri rënie.

Treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 5.1 pikë përqindje në muajin gusht. Ky tregues qëndron rreth 30 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Rritja këtë muaj u përcaktua si nga vlerësimet më të mira për aktivitetin aktual ndërtues, ashtu dhe për nivelin e porosive aktuale. Pritjet për punësimin në këtë sektor janë në rritje, ndërsa ato për çmimet në të ardhmen janë në rënie.

Treguesi i besimit në shërbime u rrit ndjeshëm me 8.6 pikë përqindje në muajin gusht. Niveli i këtij treguesi qëndron në intervalin e vlerave më të larta historike, rreth 24.4 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Të dy komponentët përbërës të treguesit, ecuria aktuale e aktivitetit dhe niveli i kërkesës, kanë regjistruar rritje të fortë. Pritjet e bizneseve për çmimet në të ardhmen janë në rritje.

Treguesi i besimit të industrisë ra me pesë pikë përqindje në muajin gusht, i ndikuar nga vlerësimet jo optimiste për prodhimin aktual dhe për kontratat porositëse. Megjithatë, ky tregues qëndron 8.8 pikë përqindje mbi mesataren historike. Pritjet e bizneseve për prodhimin në këtë sektor dhe për çmimet që këto biznese do të vendosin në të ardhmen, janë në rënie.

Treguesi i besimit në tregti u tkurr me 2.8 pikë përqindje në muajin gusht, i ndikuar kryesisht nga vlerësime jo optimiste mbi ecurinë aktuale të biznesit. Megjithatë, bizneset e sektorit presin një rritje të porosive dhe të ecurisë së biznesit në të ardhmen e afërt. Niveli aktual i këtij treguesi qëndron rreth 12.5 pikë përqindje mbi mesataren historike. Pritjet për punësimin dhe çmimet në të ardhmen janë vlerësuar në rënie.

Treguesi i besimit konsumator vijoi të bjerë lehtësisht edhe në muajin gusht, me 0.5 pikë përqindje. Megjithë rënien e dy muajve të fundit, niveli aktual i treguesit mbetet 1.6 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rënia e muajit gusht u përcaktua nga pritjet më pak optimiste për situatën financiare dhe blerjet në shuma të mëdha për të ardhmen. Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve dhe punësimin në të ardhmen janë rishikuar për lart.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments