Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar këtë të enjte vendimet e marra gjatë mbledhjes së Komisionit të Disiplinës mbi atë që kanë evidentuar gjyqtarët gjatë sfidave të javës së parë të superligës. Kështu, Komisioni i Disiplinës ka pezulluar dy javë zyrtarin e “Egnatia”-s dhe trajnerin Edlir Tetova. Shkak për këtë vendim është bërë fakti se zyrtari i rrogozhinasve Emiljano Bizhdili dhe trajneri Edlir Tetova janë vërejtur duke provokuar tifozët kundërshtarë. Ndërkohë, “Tirana” dhe “Skënderbeu” do të paguajnë respektivisht gjobat për humbjen e gjyqeve me futbollistët respektivë. Kështu, bardheblutë, nën kampionë të vendit, kanë humbur gjyqet me Edon Hasanin dhe Asion Dajën. Po ashtu “Skënderbeu” ka humbur gjyqin me Dejvi Bregun. Të dyja klubet kanë një afat 30-ditor për të shlyer pagesat respektive.