Pas një shkëputjeje të shkurtër, sot rikthehen Javët Kulturore Ndërkombëtare, me ditët dedikuar kulturës së Azerbajxhanit nga 31 gushti deri në 3 shtator. Nga aktivitetet më të rëndësishme që do të zhvillohen ditën e sotme është performanca e Orkestrës Shtetërore të Dhomës së Azerbajxhanit, “Gara Garayev”, e cila do të sjellë muzikën e dhomës të ndërthurur me elementë tradicionalë. E emëruar sipas kompozitorit të njohur azerbajxhanas Gara Garayev, historia e kësaj orkestre lidhet ngushtësisht me veprimtarinë e kompozitorit i cili solli një model të emancipuar muzikor në Azerbajxhan. Ndërkohë në Muzeun Historik Kombëtar çelet ekspozita “Heydar Aliyev-100”, si dhe prezantohet kulinaria e Azerbajxhanit, veçanërisht ëmbëlsirat tradicionale. Një tjetër prezantim i kuzhinës tradicionale azerbajxhanase do të realizohet në sheshin “Skënderbej” si dhe në shëtitoren “Murat Toptani”.