Në fletoren zyrtare është botuar vendimi i qeverisë i cili ka akorduar një shtesë në buxhetin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, duke rritur edhe fondin e pagave me një vlerë gati 489.4 milionë lekë. Sipas vendimit të qeverisë, për periudhën janar-dhjetor 2023, të ardhurat në buxhetin e Kadastrës rriten më vlerën 301,2 milionë lekë, teksa shpenzimet rriten me vlerën 237.1 milionë lekë. Në vendimin e marrë nga qeveria, vihet re se totali i buxhetit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, rritet nga 5.8 miliardë lekë në 6.1 miliardë lekë. Sipas tabelës së publikuar, vërehet se ka një rritje në buxhetin për fondin e pagave për personelin, nga 2.4 miliardë lekë në 2.9 miliardë lekë, me një shtesë prej 489.4 milionë lekësh. Po ashtu, ka dhe rritje të shpenzimeve korente me vlerën 6.6 milionë lekë, teksa shpenzimet për Qendrën e Kadastrës Digjitale, parashikohen në vlerën e 5.1 milionë lekëve. Sa i takon shpenzimeve për personelin, sipas zërave të publikuar në tabelë, vihet re se nga vlera totale prej 2.9 miliardë lekësh, 1.7 miliardë lekë janë fondi për strukturën organike të propozuar të pagave. 286.7 milionë lekë për kontributin e sigurimeve shoqërore për organikën e propozuar. Ndërkohë, 722.3 milionë lekë do të jetë fondi për punonjësit me kontratë dhe 120.6 milionë lekë për kontributet shoqërore të punonjësve me kontratë. Sakaq, është parashikuar dhe një fond i veçantë i pagave me vlerën 86.1 milionë lekë. Ndryshimet e buxhetit, vijnë në kuadër të zbatimit të projektit për dixhitalizimin e kartelave të pasurive të paluajtshme. Një vendim që solli dhe mbylljen e sporteleve fizike të shërbimeve, ku si subjektet ashtu edhe individët mund të aplikojnë për marrje shërbimesh vetëm nëpërmjet platformës e-Albania dhe zyrave noteriale. Vendimet e zbardhura në fletoren zyrtare: FZ-2023-127
5.1 milionë lekë për Qendrën e Kadastrës Digjitale
RELATED ARTICLES