Sinoptikanët parashikojnë që vala e të nxehtit që ka përfshirë vendin tonë do të vijojë deri ditën e enjte. Temperaturat pritet të shkojnë deri në 40 gradë Celsius. Meteorologia Lajda Porja, në një lidhje me Skypë për Klan Neës, tha se vala e të nxehtit do të zgjasë për pak ditë, ndërsa nga dita e premte pritet që të ketë reshje shiu. “Kjo valë e të nxehtit është një valë e cila do të jetë fare pak, pra ka nisur që nga fundjava, që nga e shtuna. Parashikohet që të paktën deri ditën e enjte, pra 3 ditët e para të kësaj jave, të jenë nën ndikimin e kësaj vale. Vala e nxehtë ka përfshirë një pjesë të mirë të Europës Jugore, por Shqipëria është në periferi të saj, që do të thotë e hëna, e marta dhe e mërkura do të ketë temperatura të larta deri në 40 gradë Celsius. Mund të tejkalohet shumë pak vlera 40, mund të regjistrohet vlera 40.5 gradë Celsius vetëm në disa zona të izoluara, Qarku i Shkodrës, Elbasani dhe Qarku i Beratit përfshirë dhe disa zona në Gjirokastër, Lazarati mund të shënojnë edhe vlerat më të larta rreth vlerës 40 apo mbi 40. Më pas e gjithë zona tjetër, pra Ultësira Perëndimore do të luhatet nga 36 deri në 38 apo 39 gradë Celsius. 37-38 do të jenë temperaturat përgjatë vijës bregdetare ndërkohë zonat malore do të jenë 34 parashikohet në Qarkun e Korçës dhe 36 do të jetë Kukësi apo Hasi. Megjithatë duke filluar që nga dita e enjte ne do të kemi tërheqje të valës, do të jetë rënie me të paktën 3 apo 4 gradë. Më pas, e enjtja, e premtja dhe fundjava do të sjellin temperatura shumë më normale krahasuar me këto vlera që do të përjetojmë gjatë këtyre 3 ditëve. Parashikohet që moti të jetë i qëndrueshëm deri ditën e premte. Ndërkohë, dita e premte do të sjellë reshje”, tha sinoptikania Lajda Porja.