Lituania ka mbyllur përkohësisht dy nga gjashtë pikat e saj kufitare me Bjellorusinë, në përgjigje të pranisë së mercenarëve rusë “Wagner”. Qeveria vendosi të mbyllë postblloqet në Šumskas dhe Tverečius nga e premtja. Vendkalimet e tjera kufitare mes Lituanisë dhe Bjellorusisë mbeten të hapura. Ashtu si Polonia dhe Letonia, shteti baltik është i shqetësuar për aktivitetet e ushtrisë private ruse “Wagner”. Pas kryengritjes së dështuar kundër Moskës, trupat e “Wagner” u zhvendosën nga Ukraina për të ngritur përfundimisht kampin në Bjellorusi. Sipas ministres së Brendshme të Lituanisë, Agnė Bilotaitė, në dy pikat e kontrollit do të ngrihen blloqe betoni dhe tela me gjemba. Trafiku do të devijohet në vendkalimin Medininkai, më i madhi nga gjashtë pikat e kontrollit në kufirin 680 kilometra të Lituanisë me Bjellorusinë. Kreu i agjencisë së rojeve kufitare të Lituanisë, Rustamas Liubajevas, pret që mbyllja e dy pikave të kontrollit, të cilat përdoren kryesisht nga qytetarët dhe automjetet e lehta, të mos kenë asnjë ndikim ‘të veçantë’ në lëvizjen e mallrave përtej kufirit. “Rreth 600 njerëz në ditë kalojnë nëpër pikën kufitare Tverečius dhe rreth 1 600 udhëtojnë në të dy drejtimet përmes Šumskas”, tha Liubajevas. atsh
Lituania mbyll dy pika kufitare me Bjellorusinë
RELATED ARTICLES