Një studim i ri shkencor po sfidon narrativën rreth përdorimit të mediave sociale, pasi zbulon se mund të sjellin përfitime për shëndetin mendor. Studiuesit nga Universiteti i Oksfordit kanë gjetur se nuk ka prova që sugjerojnë se përdorimi i Facebook është i dëmshëm për mirëqenien. Studiuesit ndoqën analizën e të dhënave nga gati një milion njerëz në 72 vende gjatë 12 viteve, studimi më i madh i këtij lloji, për të kuptuar më shumë rreth ndikimit të Facebook në mirëqenien. “Ne shqyrtuam me kujdes të dhënat më të mira të disponueshme dhe zbuluam se ato nuk mbështesin idenë se anëtarësimi në Facebook lidhet me dëmtimin e mirëqenies. Krejt e kundërta. Në fakt, analiza jonë tregon se Facebook ka të ngjarë të lidhet me mirëqenien pozitive”, tha Profesori Andrew Przybylski, i cili bashkë-drejtoi hulumtimin e botuar në revistën Royal Society Open Science. Hulumtimi shikoi të dhënat e Facebook nga 2008 deri në 2019, duke u kthyer në kohën kur platforma ishte në fazat e hershme. Rezultatet treguan se lidhja midis përdorimit të Facebook dhe mirëqenies ishte pak më pozitive për meshkujt si dhe për të rinjtë. “Megjithëse raportet e rezultateve negative psikologjike të lidhura me mediat sociale janë të zakonshme në shkrimet akademike dhe popullore, provat për dëmet janë, në ekuilibër, më shumë spekulative sesa përfundimtare”, thanë studiuesit. Duke komentuar studimin, Peter Etchells, profesor i psikologjisë dhe komunikimit shkencor në Universitetin Bath Spa, tha: “Për mendimin tim, vlera në këtë studim qëndron në prova të parimit. Ai tregon se është e mundur të përdoren të dhënat e industrisë për të adresuar pyetje domethënëse për mënyrën se si teknologjia dixhitale ndërvepron me shëndetin tonë mendor.” Por ai shtoi se kishte disa paralajmërime të lidhura me gjetjet, të cilat autorët e studimit i kanë adresuar. “Ky është një studim përshkrues dhe si i tillë nuk mund të na tregojë asgjë për shkakësinë. Kjo do të thotë, ne nuk e dimë se si, nëse, ose në çfarë mase, ndryshimet në adoptimin e Facebook nxisin ndryshime në mirëqenien mendore. Mirëqenia është një fenomen kompleks, dhe madje edhe në kontekstin e përdorimit të mediave sociale, ne duhet të jemi të kujdesshëm për të nxjerrë ndonjë përfundim të fortë duke parë se si njerëzit përdorin një platformë të vetme siç është Facebook”, deklaroi ai. RTSH