Sahitaj theksoi se propozimi i shkallës së taksimit për banesat është 0.1-0.2 %. Për parcelat për funksion tregtar 0.15-0.3 %, ndërsa për parcelat pronë bujqësore në nivelin 0.1-0.3 %. “Nuk ka ndryshim të madh në vlerë, pasi do të aplikohet zbritja e bonusit që do të thotë se qyetarët nuk do të kenë barrë të shtuar, por ajo që ne synojmë është të bëjmë një taksim sa më të ndershëm dhe sa më gjithëpërfshirës të gjithë pasurive dhe njësive të biznesit. Për shembull: nëse sot në Tiranë një qytetar paguan rreth 40 euro për një ndërtesë, me taksimin e ardhshëm mund të paguajë 50 euro, pra do të ketë një shtesë prej rreth 10 euro, për shkak të bonusit që do të zbritet. E njëjta edhe për bizneset”, thotë Sahitaj. Duke folur për vlerën e taksës që do të mblidhet, Sahitaj tha se ende nuk ka shifra të sakta, pasi pr/ligji mund të ndryshojë. Por në bazë të disa përllogaritjeve për bashkinë e Tiranës, sipas tij, parashikohet të mblidhen rreth 20 milionë dollarë më tepër. Sot bashkia e Tiranës mbledh rreth 30 milionë euro nga taksa e pasurisë. “Vlera prej rreth 20 milionë euro shtesë do të shkojë për investime publike, mirëmbajtje dhe përmirësim të cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve. I gjithë synimi ynë është të ndihmojmë bashkitë, pasi janë bashkitë që do të administrojnë të gjithë sistemin e kadastrës fiskale”, deklaroi Sahitaj. Ai tha se ligji është hartuar në bashkëpunim me qeverinë suedeze. ATSH