Monday, November 25, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTSPORTArbitrat dhe asistentët e ‘Abissnet Superiore’ nisin sezonin e ri

Arbitrat dhe asistentët e ‘Abissnet Superiore’ nisin sezonin e ri

Sektori i Arbitrimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka nisur përgatitjet në prag të edicionit të ri futbollistik me të gjithë arbitrat dhe asistentët e të kampionatit “Abissnet Superiore”. Gjatë paradites së të hënës, arbitrat dhe asistentët e kësaj kategorie i janë nënshtruar testeve fizike në stadiumin “Elbasan Arena”, duke i kaluar me sukses, ndërsa pasdite kanë vijuar pjesën teorike dhe videotestet. Edhe gjatë ditës së sotme, arbitrat dhe asistentët e kampionatit “Abissnet Superiore” po ndjekin seminaret teorike në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, duke analizuar aspekte të ndryshme të arbitrimit, situata të ndryshme të lojës me raste konkrete dhe duke u përditësuar me ndryshimet në rregulloren e arbitrimit. Në një prononcim për fshf.org, shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci shprehet se arbitrave dhe asistentëve të kësaj kategorie i janë dhënë disa instruksione lidhur me problematikat e edicionit të kaluar dhe mënyrën se si ata duhet t’i menaxhojnë gjatë këtij sezoni të ri. “Zyrtarisht ne filluam dje me testimet fizike me arbitrat dhe asistentët e kampionatit ‘Abissnet Superiore’. Nga pasditja e djeshme dhe sot deri në darkë do të zhvillojmë seminaret teorike, në bashkëpunim me FIFA-n. i ftuar është një nga instruktorët e UEFA-s dhe FIFA-s, Kiros Vasaras. Pjesë e këtij seminari janë disa instruksione, të dhëna si nga Sektori i Arbitrimit, ashtu edhe nga FIFA, disa problematika të sezonit të kaluar, që kanë të bëjnë me menaxhimin e situatave të lojës dhe menaxhimin e zyrtarëve të ekipeve, ku theksi maksimal është vënë te mënyra se si arbitrat dhe asistentët duhet të menaxhojnë sjelljen e zyrtarëve dhe lojtarëve në fushë. Tashmë instruksionet janë të sakta dhe të qarta. Arbitrat do të jenë shumë rigorozë, në lidhje me ndëshkimin e sjelljeve nga ana e zyrtarëve, por edhe nga ana e lojtarëve”, nënvizon Jareci, i cili thekson gjithashtu se ky edicion ka një risi, lidhur me lojën efektive. Të gjithë arbitrat do të angazhohen ndër të tjera të numërojnë sekondat jo efektive të lojës, për t’iu shtuar në fund të pjesëve ndeshjes respektive. “Sakaq, një pjesë tjetër e seminarit, risi për këtë sezon ka të bëjë me lojën efektive, për të pasur sa më shumë futboll dhe jo pushim. I është dhënë instruksion arbitrave, asistentëve, VAR-it dhe AVAR-it, të numërojnë të gjitha sekondat që kanë qenë pjesë jo efektive e lojës (sekondat e humbura gjatë një goditje të lirë, gjatë një goditje nga këndi, gjatë një rivënie fundore, gjatë një penalltie dhe ajo që është më kryesorja, minutat e humbura pas shënimit të një goli). Të gjitha këto do të numërohen dhe në fund të dy pjesëve të lojës, do të kemi shtesa”, thotë ndër të tjera shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF. Më tej, Jareci tregon edhe gjendjen e arbitrave dhe asistentëve të kësaj kategorie, duke nënvizuar se rezultatet e tyre janë shumë pozitive. “Pjesa fizike është një rutinë tashmë për arbitrat dhe asistentët e kampionatit ‘Abissnet Superiore’. Ajo që është më delikate është pjesa e testeve të rregullores së lojës sepse shpesh në këto teste fusim edhe situata që nuk kanë ndodhur ndonjëherë në fushën e lojës, por që arbitrat dhe asistentët duhet të përgatiten edhe për këto situata. Por, në bazë të korrigjimeve që ne kemi bërë dje vonë, rezultatet janë shumë pozitive”, shprehet Sokol Jareci, i cili shpreh vlerësimin edhe për dy arbitrat shqiptarë, Juxhin Xhaja dhe Emanuela Rusta, që janë promovuar në një kategori më lart në shkallën e UEFA-s. “Ky është një lloj vlerësimi që UEFA i ka bërë arbitrave, jo FSHF. Ne kemi për detyre të promovojmë arbitrat, t’i hedhim në fushë dhe në fund është UEFA që vendos për performancën e tyre. Gjatë këtij viti kemi pasur dy promovime në shkallën e parë të UEFA-s, Juxhin Xhaja dhe Emanuela Rusta. Juxhin Xhaja ka qenë prezent në finalet e Kampionatit Europian për grupmoshën U-21 dhe U-19. Emanuela Rusta ka qenë prezente në finalet e Kampionatit Europian U-17 për vajza. Tani kanë qenë prezentë edhe në ndeshjet e ndryshme të organizuara nga UEFA. Pritet që në muajt në vazhdim, të gjithë do të jenë prezent në fushë”, përfundon Sokol Jareci për fshf.org.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments