Përmbyllet stërvitja e përbashkët mes dy anijeve të shkollës së marinës turke dhe luftanijes së Shqipërisë “Iliria”. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, në rrjetet sociale ka ndarë foto nga stërvitja e përbashkët ushtarake detare. “Qëndrimi i dy anijeve turke të shkollës së Marinës, në portin e Durrësit, u përmbyll me një stërvitje të përbashkët me anijen “ILIRIA””, njofton Peleshi. “Stërvitja u zhvillua sipas manualeve standarde të NATO-s, duke përmirësuar kapacitetet tona dhe promovuar bashkëpunimin mes forcave. Kjo stërvitje ishte një mundësi e shkëlqyer për të çuar edhe më tej bashkëpunimin me Turqinë mike, si një nga mbështetëset më të rëndësishme të Forcave të Armatosura. Së bashku, jemi më të fortë!”, nënvizon Peleshi. Tre ditë më parë, në portin e Durrësit, dy luftanijet e Marinës Turke, “TCG Bayraktar” dhe “TCG Cezayirli Gazi Hasan Pasa”, u ankoruan në Portin e Durrësit. Anija “TCG Bayraktar “, është pjesë e dy prej anijeve amfibe zbarkuese të klasit Bayraktar të Marinës Turke të ndërtuara në vitin 2017 nga kantieri i Anadollit për të përmbushur kërkesat operacionale të Komandës së Forcave Detare Turke. Luftanijet e klasit Bayraktar janë të destinuara kryesisht për misione amfibe dhe transportin e trupave dhe pajisjeve, ndërsa misionet e tyre dytësore përfshijnë ndihmën humanitare, ndihmën ndaj fatkeqësive, si dhe ndihmën e transportin për qëllime mjekësore. Kjo anije është 139 metra e gjatë dhe 20 metra e gjerë. Ndërkohë “TCG Cezayirli Gazi Hasan Pasa” është një nga katër anijet e klasit Rhein: Elbe, Donau, Isar dhe Ruhr të cilat iu transferuan Marinës Turke në vitet 1980. “TCG Cezayirli Gazi Hasan Paşa” ka një gjatësi prej 98 metra dhe gjerësi rreth 12 metra. Aktualisht këto anije luftarake përdoren kryesisht për qëllime stërvitore të Akademisë Detare Turke por edhe në shërbim të Forcave Detare Turke. “TCG Bayraktar” dhe “TCG Cezayirli Gazi Hasan Pasa” vizituan vendin tonë për një qendrim gjashtë ditor në kuadër të një stërvitje të përbashkët në det të hapur në funksion të programeve stërvitore të Akademisë Detare Turke.